Një ngjarje tragjike ka ndodhur sonte në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, ku një i mitur është gjetur i shtrirë me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin duke bërë të ditur se i mituri është dërguar për trajtim mjekësor, por nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve.
“Sot, rreth orës 20:20, në fshatin Bellacerkë të Rahovecit, në vendbanimin e tij është gjetur një i mitur i shtrirë, me plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor, ku mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij”, ka bërë të ditur Policia.
Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila është marrë si provë materiale.
“Rasti është iniciuar si ‘Hetim i vdekjes’, ndërsa trupi i pajetë i viktimës do të dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Njësitë përkatëse policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Policisë.








