Një ngjarje e rëndë ka tronditur një familje në Los Angeles, ku një nënë 20-vjeçare ka mbetur e vrarë nga një plumb që ka depërtuar përmes dritares së banesës, teksa ishte duke fjetur pranë vajzës së saj të vogël.
Viktima është identifikuar si Maria Barrios Ventura. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, në zonën Vermont Vista, pasi banorët raportuan për të shtëna me armë.
Sipas autoriteteve, ekipet emergjente e gjetën 20-vjeçaren me plagë të rënda nga arma e zjarrit, por ajo nuk ka arritur të mbijetojë dhe është shpallur e vdekur në vendngjarje.
Partneri i saj ka treguar se në momentin e të shtënave familja ishte duke fjetur në të njëjtin shtrat dhe se një plumb kishte kaluar përmes dritares duke goditur Venturën.
Policia e Los Angelesit ka nisur hetimet për të zbuluar nëse bëhet fjalë për një sulm të qëllimshëm apo për një plumb të rastësishëm. Deri tani nuk janë bërë të ditura arrestime dhe autoritetet po punojnë për identifikimin e personit apo personave përgjegjës.
Ngjarja ka lënë pas një vajzë vetëm 1-vjeçare, e cila ndodhej pranë nënës në momentin tragjik.








