Një aksident i rëndë trafiku me pasojë vdekjen ka ndodhur në rrugën “Faik Konica” në Prizren, ku një automjet ka goditur me pjesën e përparme një biçiklist 78-vjeçar.
Lajmin për media ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.
Sipas tij, si pasojë e aksidentit, biçiklisti ka pësuar lëndime të rënda trupore. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipi i emergjencës, të cilët i kanë ofruar ndihmën e parë mjekësore, ndërsa më pas viktima është transportuar për trajtim në QKUK në Prishtinë.
Megjithatë, pas disa orësh, 78-vjeçari nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.
“Si pasojë e aksidentit, biçiklisti, mashkull 78-vjeçar, ka pësuar lëndime të rënda trupore. Njësitet policore dhe ekipi i emergjencës kanë dalë menjëherë në vendngjarje, ku viktimës i është ofruar ndihma e parë mjekësore dhe më pas është transportuar për trajtim në QKUK në Prishtinë. Pas disa orësh, si pasojë e lëndimeve të marra, viktima ka humbur jetën”, thuhet në konfirmimin e Policisë.
Autoritetet bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit ngasësi i dyshuar është ndaluar nga policia, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për autopsi.
“Për rastin është njoftuar prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit ngasësi i dyshuar mbahet në ndalim policor dhe me urdhër të tij trupi i pajetë dërgohet për autopsi. Policia, në bashkëpunim të ngushtë me prokurorin e shtetit, është duke zhvilluar hetime për të sqaruar të gjitha rrethanat dhe shkaqet e këtij aksidenti trafiku”, thuhet më tej në njoftim.










