Futbolli serb është tronditur nga një ngjarje e rëndë ditën e sotme, pasi trajneri i Radnicki 1923, Mladen Zizovic, ka ndërruar jetë, pasi pësoi kolaps në pankinë gjatë ndeshjes së Superligës serbe kundër Mladost Lucani.
Ngjarja ka ndodhur në minutën e 20-të të sfidës që po luhej mbrëmjen e sotme, kur 44-vjeçari u rrëzua para pankinës së tij. Atij iu dha ndihma mjekësore dhe u dërgua me ambulancë drejt spitalit. Gjyqtari më pas rifilloi ndeshjen, për ta ndalur para fundit të pjesës së parë, kur u mësua lajmi tragjik se ai nuk ia kishte dalë.
Zizovic ishte një figurë e njohur e futbollit ballkanik. Gjatë karrierës si lojtar, ai ka spikatur me Zrinjski Mostar, ndërsa ka veshur edhe fanellat e Borac Banja Luka dhe KF Tiranës, ku aktivizohej në sezonin 2010-11 në Kategorinë Superiore (18 ndeshje, 1 gol).
Pas varjes së ‘këpucëve në gozhdë’, ai nisi karrierën si trajner në vitin 2017, duke drejtuar skuadra si Radnik Bijeljina, Zrinjski Mostar, Sloboda Tuzla, Al Kholood (Arabia Saudite), Shkupi (Maqedonia e Veriut), Borac Banja Luka dhe së fundmi Radnicki. Vetëm një muaj më parë ai kishte marrë drejtimin e Radnicki 1923, ku arriti të drejtonte vetëm dy ndeshje para ndarjes së parakohshme nga jeta.
Tragedija u Lučanima, preminuo Mladen Žižović, utakmica Mladost – Radnički odmah prekinuta. pic.twitter.com/oOGnZiTOfW
— Aleksandar Ilić (@aleks89ilic) November 3, 2025






