Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Avdullah Hoti, ka bërë thirrje për protestë për çështjen e gazit amerikan. Lidhur me këtë ka reaguar deputeti i zgjedhur i LVV’së, Ilir Kërçeli.
Kërçeli me anë të një shkrimi në ‘Facebook’ i ka bërë thirrje Hotit “ta mbrojë LDK’në”, duke aluduar në përplasjet e brendshme të këtij subjekti politik.
“Ta mbrojmë me protestë aleancën tonë me SHBA-të, tha një deputet dhe ish-kryeministër i LDK-së. Ooo mbrojeni LDK-në, sepse po ju ndërrohet qiramarrësi. Për aleancën me SHBA-të ka kush kujdeset dhe e mbron”, deklaroi Kërçeli.
Hoti gjatë ditës i ka bërë thirrje odave ekonomike, organizatave të shoqërisë civile, bizneseve, qytetarëve të bashkohen në protestë demokratike në mbështetje të projektit të gazit amerikan.
Sipas tij duke refuzuar projektin e Gazit të Lëngshëm Natyror (LNG) me prejardhje amerikane, Kosova rrezikon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që mbetet jashtë këtij projekti.
Hoti tutje shkruan se secili e ka të qartë se ato kundërshtime burojnë nga orientimi antiamerikan i Vetëvendosjes.
“Dhe kjo nuk është gjë e re. LVV-ja ka qenë kundër negociatave të Vjenës që sollën pavarësinë, si dhe kundër Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit që hapi rrugën e integrimit evropian të Kosovës”, shkruan Hoti.








