Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Lipjan, në krye me Imri Ahmetin, kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si kryetar i LDK’së.
Në një reagim të tyre, thuhet se rezultati i zgjedhjeve duhet të shërbejë si reflektim, prandaj edhe kërkojnë dorëheqjen e Abdixhikut.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet ndër të tjera në reagim.

Një kërkesë të njëjtë e pati edhe dega e LDK’së në Pejë, në krye me Gazmend Muhaxherin. Në një mbledhje të mbajtur pas përfundimit të procesit zgjedhor, anëtarët e Kryesisë, me shumicë votash, kanë vlerësuar se rezultati kërkon reflektim të thellë politik.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, dorëheqja duhet të vijë si akt moral dhe politik.
“Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet më tej në qëndrimin e degës.








