Vajza e Jakup Krasniqi, Gresë Krasniqi, ka thënë se pas një bisede telefonike me babain e saj, ka marrë vesh se ai ka vendosur që të refuzojë pranimin e shërbimeve shëndetësore nga Haga. Kjo si shenjë revolte për procesin e zhvilluar ndaj tij dhe mbajtjen në paraburgim prej gjashtë vitesh.
Lidhur me këtë, Gazeta ka dërguar pyetje në Gjykatën Speciale. Zëdhënësja Angela Griep ka thënë se për shkaqe privatësie nuk mund të ndajë detaje shëndetësore.
Megjithatë ajo thotë se Gjykata Speciale garanton që Jakup Krasniqi ka qasje në sistem shëndetësor me standarde holandeze dhe nëse i duhet, jepen edhe shërbime specialistike.
“Për arsye privatësie, nuk mund t’ju ofrojmë asnjë informacion mbi shëndetin e të paraburgosurit. Megjithatë, mund t’ju sigurojmë se z. Krasniqi ka qasje në kujdesin shëndetësor në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara, e cila ka të njëjtat standarde si sistemi holandez i kujdesit shëndetësor. Të paraburgosurit, si dhe personat e dënuar, kanë qasje të përditshme te një mjek dhe u ofrohet qasje te specialistë mjekësorë nëse dhe kur është e nevojshme.”, ka thënë Griep.








