Politika është kulturë e debatit, jo garë e fyerjeve

Shkruan Ismet Haziri

Dje, në një postim të Përparim Ramës, kryetarit të Prishtinës, i cili po përmendet si kandidat i mundshëm për të parin e LDK-së, krahas komenteve të shumta mbështetëse, u shfaq edhe një gjuhë e papranueshme, vulgare dhe fyese.

Si anëtar i LDK-së, konsideroj se një gjuhë e tillë nuk i përket kulturës tradicionale politike të kësaj partie, as vlerave që ajo përfaqëson dhe as nivelit të debatit publik që duhet ta synojë. Mospajtimet, kritikat dhe përkrahja për kandidatë të ndryshëm janë pjesë e natyrshme e demokracisë, por fyerjet dhe banaliteti nuk mund të zëvendësojnë argumentin.

LDK-ja, si subjekt me traditë në jetën politike të Kosovës, duhet ta ruajë kulturën e komunikimit, respektin ndaj individit dhe dinjitetin e debatit. Këto vlera nuk maten vetëm me fjalimet e zyrtarëve apo me deklaratat programore, por edhe me mënyrën se si anëtarët dhe mbështetësit e saj komunikojnë, sidomos kur përballen me mendime të kundërta.

Unë besoj se politika është art i të menduarit, i komunikimit dhe i përgjegjësisë publike. Ajo kërkon dije, kulturë, vetëpërmbajtje dhe aftësi për t’i dëgjuar të tjerët. Jo secili duhet të merret drejtpërdrejt me politikë, por secili qytetar duhet ta ketë të drejtën dhe përgjegjësinë të votojë, të gjykojë me mendjen e vet dhe të kontribuojë në përcaktimin e së ardhmes së shoqërisë.

Prandaj, nuk duhet të kërkojmë vetëm kandidatë që i përfaqësojnë vlerat tona, por edhe një kulturë politike që i pasqyron ato. Mbështetja për dikë nuk kërkon fyerjen e tjetrit, ndërsa kritika nuk e humb fuqinë kur shprehet me qytetari.

LDK-ja ka nevojë për debat me argumente, për konkurrencë me dinjitet dhe për anëtarësi që e kupton se kultura politike fillon nga mënyra se si flasim me njëri-tjetrin. Sepse mënyra si debatojmë sot tregon shumë për shoqërinë dhe politikën që dëshirojmë të ndërtojmë nesër.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit