Një numër i madh qytetarësh nga e gjithë Kosova dhe trojet e tjera pritet të bashkohen sot në protestën e paralajmëruar nga platforma Liria ka Emër, duke filluar nga ora 16:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, për të shprehur revoltën ndaj vendimit të padrejtë të Gjykatës Speciale, që më 16 shtator dënoi me gjithsej 81 vjet burg ish-krerët e UÇK-së.
Specialja shpalli fajtorë dhe i dënoi me nga 25 vjet heqje lirie Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, ndërsa Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.
Kujtojmë se, tash e 15 ditë me radhë, po vazhdojnë protestat kundër vendimit të Speciales dhe në mbështetje për ish-krerët e UÇK-së.
Përveç në Kosovë, protesta në kundërshtim të vendimit të Speciales janë mbajtur edhe në Shkup, në disa qytete të SHBA-së, në Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri, teksa janë paralajmëruar protesta të reja edhe në Bruksel për datën 10 tetor.








