I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka bërë të ditur se gjatë takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në margjinat e forumit GLOBSEC, kanë diskutuar hapa konkretë për të avancuar procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Sorensen tha shkurtimisht se bisedimet kanë përqendrim në masat që duhet ndërmarrë për të çuar përpara dialogun.
“Fola me presidentin e Serbisë në margjinat e GLOBSEC. Diskutuam një numër hapash konkretë të nevojshëm për të çuar përpara normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën” u shpreh Sorensen.
Ndërkohë, Vuçiq përmes një postimi në Instagram theksoi se diskutimi ishte kuptimplotë dhe konstruktiv, duke theksuar përkushtimin e Serbisë për të gjetur zgjidhje kompromisi në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Presidenti serb theksoi gjithashtu rëndësinë e ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe respektin ndaj partnerëve ndërkombëtarë dhe interesave të popullit serb.
Katër ditë më parë, Sorensen pati takim me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin, për t’u përgatitur për një raund të ri bisedimesh të nivelit të lartë në kuadër të dialogut ndërmjet dy vendeve.









