Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka shpërthyer në kritika ndaj organizatorëve të protestave që u bën gjatë muajit shtator dhe tetor ku me ngulm kërkohej miratimi i Projektligjit për Dhomat e Specializuara.
Haradinaj pati kritika edhe ndaj PDK-së për mënyrën se si u tërhoqën nga ky Ligj.
Haradinaj thotë se protestat u përdorën për interesa politike dhe se tashmë u ka rënë maska atyre që synuan të përfitonin vota,
Në një prononcim, Haradinaj ka thënë se protestat, të cilat fillimisht kishin bashkuar qytetarë e përfaqësues të partive të ndryshme, përfunduan duke u shfrytëzuar nga individë që, sipas tij, mendonin më shumë për zgjedhjet sesa për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.
Ai thotë se ata që tentuan të merrnin rolin kryesor në organizimin e protestave për përfitime politike, tani duhet të përballen me pasojat.
“E para kur protestat kthehen në teravi, normal që ato kanë me përfundu. Në protesta kur fshihet mendimi i vërtetë dhe mundohesh që me protesta të kesh zgjidhje që pastaj të përfiton dikush me vota, sidomos ata që dulen me marr protagonistin e protestave, unë mendoj që tash duhet me pagu çmimin. Iu ka dalë maska u ka hek mask atyne që kane menduar vetëm politikë dhe jo në lirimin e mirëfillt të ish-krerëve të UÇK-së”, tha Haradinaj.
“Grudën e bënë kurban, pas tij fshihet Uran Ismaili”
Haradinaj nuk i ka kursyer kritikat as ndaj zhvillimeve të fundit brenda PDK-së, veçanërisht lidhur me tërheqjen e propozimit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Ai pretendon se pas kësaj tërheqje qëndrojnë kalkulime politike për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Haradinajt, Përparim Gruda është sakrifikuar politikisht, ndërsa ai përmend edhe Uran Ismailin, për të cilin pretendon se ka interesa politike në këtë çështje.
“Ndërsa tërheqja e ligjit, unë mendoj që aty është lojë brenda PDK-së – lojë për poena politike, për përfitimin për zgjedhjet e ardhshme elektorale dhe kjo është një trup i tyne. Për mendimin teme kanë sakrifiku e kanë bërë kurban Përparim Grudën – por mbas atij ligjin unë mendoj se fshihet, Uran Ismaili për të qenë konkret në garën e ardhshme. Prandaj për mua këta janë neomarksist – që njëfarë mënyre e turpëron fenë edhe sjelljet e tyre politike. Unë mendoj që është diçka më tepër se sa dëshirë – unë gjatë gjithë kohës në protesta kam thënë se nuk duhet të viktimizohemi ose të fitojmë mbi fatkeqësitë e tjerëve sepse ky është turpi dhe sidomos në aspektin kombëtar kur kjo për ne është fatkeqësi kombëtare, nuk është fatkeqësi personale, normal që ata janë 6 emra aty që unë këtë e shoh si tragjedi kombëtare. Ajo nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike, e aq ma keq për përfitimet personale individuale”, tha Haradinaj.
“S’mund të jesh sot PDK e nesër OVL”
Kritikat e Haradinajt nuk janë ndalur vetëm te PDK-ja.
Ai ka folur edhe për përfaqësues të organizatave të dala nga lufta, të cilët, sipas tij, po përpiqen të distancohen nga zhvillimet e fundit dhe po kërkojnë llogari brenda PDK-së.
Haradinaj thotë se nuk mund të përfaqësosh interesat e një partie kur të konvenon dhe më pas të paraqitesh vetëm si përfaqësues i veteranëve.
Sipas tij, protestat nuk i përkisnin asnjë partie të vetme, pasi në to kishin marrë pjesë qytetarë dhe përfaqësues nga subjekte të ndryshme politike.
“Por edhe ata të organizatave po i shoh se po dojnë me u tërhjek – po lypin llogari brenda PDK-së, ata më tepër e kanë dëmtu sepse në fund të fundit janë prezantuar si të tillë dhe nuk munden se kur tu teket të jenë PDK e kur nuk dojnë të jenë OVL – unë mendoj që ky është edhe një gabim tjetër dhe nuk u ec kjo moto është gabim. Ne protesta i kemi menduar si protesta popullore që kanë pasur qëllim dhe e kanë thënë mesazhin e vet – ‘Jo në emrin tim’, në kuptimin e asaj që nuk pajtohen me këtë vendim, por jo të shkohet përtej kësaj për përfitime të ardhshme elektorale, qofshin politike por qofshin dhe brenda vetë partive politike”, tha ai.
Në fund, Haradinaj ka insistuar se mbështetja për ish-krerët e UÇK-së në Hagë duhet të mbetet çështje kombëtare dhe jo të kthehet në garë për vota apo përfitime personale.
Ai ka theksuar se askush nuk duhet ta përdorë fatin e ish-krerëve të UÇK-së për të ndërtuar karrierë politike, duke përsëritur se protestat kishin karakter gjithëpopullor dhe nuk ishin pronë e asnjë subjekti politik.
“Nuk mund ta marrësh mandatin dhe pastaj duke thurur mandat sikur ne jemi ata që dilnim në protestë dhe se janë në gjithëpopullore – kanë qenë gjithëpopullore sepse kanë marr pjesë të gjitha partitë, protagonistët që i kam parë unë aty kanë qenë prej të gjitha partive, nëse u vrejt ndonjë dallim është prej atyne që i kanë qit fansat e vet, që kishin pas dyshu e mendu që shkojnë në zgjedhje, shiqyr që nuk i ka dhez se edhe në zgjedhje do të kishin humbur edhe më keq, ndoshta individualisht brenda subjekteve të veta dikush kish fitu, por si komb kishin humb”, tha Nasim Haradinaj.
Që në ditën e parë të protestave, ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së doli para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku kërkoi nga kryeministri dhe deputetët e të gjitha partive që të jepnin përgjigje dhe të ndërmerrnin veprime konkrete pas vendimit të Speciales.
Nasim Haradinaj ishte i vetmi që kërkoi nga protestuesit mos të dëmtonin objektet, si dhe të dihet qartë për çfarë po protestohet. Ai kishte shprehur pakënaqësi pasi sipas tij tentohej t’i ndalohej fjala, e nuk lejohej të merrte fjalën në momentin kur zgjidheshin se kush të fliste e kush jo.









