Një rampë hyrëse e vendosur në një kompleks banesor në Vushtrri po vazhdon të shkaktojë probleme serioze për 9 biznese, banorët, pacientët dhe qytetarët që frekuentojnë këtë hapësirë.
Në këtë kompleks operojnë ordinanca mjekësore, specialistë, laborator për analiza dhe biznese të tjera. Mirëpo, për shkak të rampës së vendosur në hyrje, qytetarët dhe pacientët, sipas bizneseve që veprojnë aty, po përballen çdo ditë me vështirësi për të hyrë në kompleks.
Sipas informatave tona, vendimi për shfuqizimin e rampës ekziston, por po zvarritet
Sipas informatave që posedon Gazeta Kosova, në Komunën e Vushtrrisë është marrë një vendim lidhur me shfuqizimin e vendosjes së rampës.
Megjithatë, sipas burimeve tona, zbatimi i këtij vendimi po zvarritet prej javësh në institucionet komunale.
Burime nga strukturat përkatëse komunale bëjnë të ditur se Inspektorati ka shprehur gatishmërinë për ekzekutimin e vendimit, ndërsa, sipas këtyre burimeve, çështja tashmë ka mbetur në nivel të vendimmarrjes së udhëheqjes komunale.
Sipas informacioneve që kemi siguruar, bizneset dhe palët e përfshira pretendojnë se kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka penguar deri më tani zbatimin e vendimit.
Kjo është një çështje për të cilën Komuna e Vushtrrisë dhe kryetari Idrizi duhet të japin një sqarim publik dhe të qartë.
Marrëveshja me banorët: bizneset nuk u përfshinë
Një tjetër shqetësim serioz lidhet me mënyrën se si është arritur marrëveshja për funksionimin e rampës.
Sipas informatave që kemi, është arritur një marrëveshje me banorët, pa përfshirjen e bizneseve që operojnë në këtë kompleks.
Sipas kësaj marrëveshjeje, rampa është paraparë të qëndrojë e hapur për bizneset vetëm në një interval të caktuar kohor, nga ora 02:00 deri në 07:00.
Por një marrëveshje e tillë, sipas bizneseve, nuk zgjidh problemin real.
Ordinancat, laboratorët dhe bizneset nuk funksionojnë vetëm gjatë këtyre orëve. Pacientët kanë nevojë të kenë qasje gjatë gjithë kohës së orarit të punës.
Bizneset detyrohen të shkojnë vetë te rampa për t’ua hapur pacientëve
Situata, sipas bizneseve, ka shkuar deri në atë pikë sa punonjësit dhe pronarët detyrohen të dalin fizikisht deri te rampa për t’ua hapur hyrjen pacientëve dhe klientëve.
Kjo pasi, sipas tyre, sistemi nuk mund të hapet nga ordinancat apo nga hapësirat ku ata ushtrojnë veprimtarinë.
Paramendoni një pacient që ka nevojë për ndihmë të shpejtë.
Paramendoni një grua shtatzënë që duhet të shkojë urgjentisht për kontroll te mjeku.
A duhet që ajo të presë derisa dikush të dalë nga ordinanca dhe të shkojë deri te rampa për t’ia hapur hyrjen?
Kur në pyetje është shëndeti i qytetarëve, çdo minutë mund të ketë rëndësi.
Institucionet duhet të krijojnë qasje të lehtë në shërbimet shëndetësore, e jo barriera që mund të pengojnë pacientët.
“Rampa u vendos një natë para zgjedhjeve” – bizneset kërkojnë sqarime
Sipas pretendimeve dhe informatave të ngritura nga palët e përfshira, rampa është vendosur një natë para zgjedhjeve, gjë që ka ngritur dyshime dhe pikëpyetje për kohën dhe arsyet e vendosjes së saj.
Bizneset pretendojnë se ndërkohë që vendimet politike mund të jenë marrë në një kohë shumë të shkurtër, pasojat e tyre po i vuajnë çdo ditë bizneset, pacientët dhe qytetarët.
Për këtë arsye kërkohet transparencë e plotë nga Komuna e Vushtrrisë:
Kush e mori vendimin për vendosjen e rampës?
Mbi çfarë baze është vendosur ajo?
Pse bizneset që operojnë në atë kompleks nuk janë përfshirë në vendimmarrje?
Dhe nëse ekziston vendimi për shfuqizimin e saj, pse ai ende nuk është zbatuar?
9 biznese në hall, ndërsa Komuna duhet të japë përgjigje
Në këtë kompleks operojnë gjithsej 9 biznese, të cilat jo vetëm që ofrojnë shërbime për qytetarët, por gjithashtu kontribuojnë në ekonominë lokale dhe paguajnë obligimet e tyre ndaj shtetit dhe komunës.
Sipas informatave të bizneseve, kontributi i tyre në taksa dhe obligime të ndryshme mund të arrijë në mbi 50 mijë euro në vit.
Por në vend që të krijohen lehtësira për zhvillimin e veprimtarisë së tyre, bizneset thonë se po përballen me barriera që po ua vështirësojnë punën çdo ditë.
Bizneset nuk po kërkojnë privilegje. Ata po kërkojnë vetëm qasje normale për klientët dhe pacientët e tyre.
Kërkohet veprim urgjent
Kjo çështje nuk mund të vazhdojë të zvarritet.
Nëse, siç pretendohet nga burimet tona, ekziston një vendim për shfuqizimin e rampës dhe institucionet përgjegjëse kanë shprehur gatishmëri për zbatimin e tij, atëherë qytetarët kanë të drejtë të dinë:
Çfarë po e pengon zbatimin e vendimit?
Komuna e Vushtrrisë duhet të dalë publikisht dhe të japë përgjigje për këtë situatë.
Pacientët nuk duhet të pengohen për të shkuar te mjeku.
Bizneset nuk duhet të detyrohen të dalin deri te rampa për çdo klient.
Dhe qytetarët nuk duhet të presin para një pengese për të marrë shërbimet që u nevojiten.
Nëse vendimi për largimin e rampës ekziston, ai duhet të zbatohet. Jo të zvarritet me javë të tëra nëpër zyrat e Komunës së Vushtrrisë.
Gazeta Kosova do të kërkojë përgjigje zyrtare nga Komuna e Vushtrrisë dhe kryetari Ferit Idrizi lidhur me këto pretendime dhe do të publikojë qëndrimin e tyre sapo të pranohet.








