Një debat politik ka shpërthyer në Slloveni për shkak të lidhjeve të një mikeje të presidentes Nataša Pirc Musar me persona që dyshohet se kanë pasur lidhje me Rusinë.
Çështja u bë publike pas një aksidenti me veturë, ku bashkë me presidenten ndodhej edhe mikja e saj ruse, Viktorija Krivolucka.
Mediat sllovene raportuan se Krivolucka kishte qenë më herët në lidhje me Roman Jeglič, një ish-zyrtar i inteligjencës sllovene, i cili në vitet ’90 ishte larguar drejt Rusisë.
Rasti ka shkaktuar reagime edhe në parlament. Komisioni parlamentar për sigurinë ka kërkuar informacione nga shërbimet e inteligjencës për të parë nëse ekziston ndonjë rrezik apo ndikim rus përmes rrethit të presidentes.
Në vëmendje janë edhe udhëtimet e Pirc Musar në Rusi. Sipas mediave sllovene, ajo ka udhëtuar disa herë drejt Moskës dhe Shën Petersburgut, ndërsa një prej udhëtimeve ka ndodhur në fund të vitit 2021, pak para nisjes së pushtimit të plotë rus të Ukrainës.
Partia opozitare SDS ka kërkuar masa më të forta dhe ka ngritur edhe çështjen e qasjes së presidentes në informacione të klasifikuara, deri në përfundimin e verifikimeve.
Megjithatë, deri tani nuk ka konstatim zyrtar se presidentja apo mikja e saj kanë lidhje me shërbimet ruse.
Shërbimi slloven i inteligjencës, SOVA, ka deklaruar se një verifikim i mëparshëm i Krivoluckës, i kryer në vitin 2016, nuk kishte zbuluar ndonjë rrezik për sigurinë.








