Skandal në mbledhjen e LDK-së: Paris Guri voton jashtëligjshëm në Kolegjiumin e Degëve, nuk kishte të drejtë vote

Zhvillimet dhe tensionet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës po marrin përmasa të reja. Pas bojkotit masiv nga kryetarët e degëve kryesore në vend dhe atyre nga mërgata, Insajderi ka mësuar një tjetër detaj skandaloz që ka ndodhur gjatë mbledhjes së djeshme të thirrur nga Lumir Abdixhiku.

Burime mirëinformuara brenda partisë bëjnë të ditur se, ndonëse një numër i konsiderueshëm i kryetarëve legitimë të degëve nuk i shkuan në mbledhje Abdixhikut, në sallë u pa i pranishëm Paris Guri.

Sipas të njëjtave burime, Guri ka marrë pjesë jashtëligjshëm dhe në kundërshtim me rregullat në votimin e “Deklaratës së Kolegjiumit të Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, dokument ky që tentonte t’i siguronte mbështetje kryesisë aktuale dhe të shtynte zgjedhjet e brendshme deri në vitin 2027.

Pse pjesëmarrja dhe vota e tij ishin të jashtëligjshme?

Paris Guri mban pozitën e kryetarit të Forumit Rinor të LDK-së.

Rrjedhimisht, në një mbledhje të thirrur ekskluzivisht për Kolegjiumin e Degëve, ai nuk gëzon të drejtë vote dhe as pjesëmarrjeje në vendimmarrje, pasi nuk është kryetar i asnjë dege të partisë.

Çka përmbante deklarata që u votua nga përkrahësit e Abdixhikut?

DEKLARATË E KOLEGJIUMIT TË DEGËVE TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS

Kolegjiumi i Degëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, i mbledhur sot në selinë qendrore të LDK-së, shqyrtoi zhvillimet politike në vend, rezultatin zgjedhor, gjendjen institucionale dhe angazhimin e LDK-së në këtë periudhë.

Pas diskutimeve, Kolegjiumi i Degëve:

Vlerëson lart angazhimin dhe punën e të gjitha strukturave të Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se, brenda një periudhe relativisht të shkurtër nga zgjedhjet paraprake, LDK arriti rritje të mbështetjes qytetare. Kolegjiumi kërkon një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor, me qëllim të nxjerrjes së mësimeve të nevojshme dhe identifikimit të mundësive për përmirësim të mëtejmë të organizimit dhe veprimit politik të LDK-së.

Rikonfirmon mbështetjen e plotë për Kryetarin dhe Kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës në ushtrimin e përgjegjësive të tyre politike e statutore, në angazhimin për stabilitetin institucional të Republikës së Kosovës, si dhe në mbrojtjen dhe përfaqësimin e vlerave, parimeve dhe politikave të LDK-së në institucionet e vendit.

Rikonfirmon përkushtimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e institucioneve funksionale, në respektimin e rendit kushtetues dhe në ofrimin e zgjidhjeve që i shërbejnë interesit shtetëror dhe qytetar.

Rithekson se çështjet e organizimit të brendshëm të LDK-së rregullohen nga Statuti i partisë dhe vendimet e organeve të saj legjitime. Zgjedhjet e rregullta për të gjitha strukturat drejtuese të LDK-së do të mbahen gjatë vitit 2027, në përputhje me afatet statutore.

Fton të gjitha strukturat, anëtarët dhe funksionarët e LDK-së që energjinë dhe angazhimin e tyre ta përqendrojnë në forcimin e mëtejmë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, në ruajtjen e unitetit të saj dhe në përmbushjen e përgjegjësive që kemi ndaj qytetarëve dhe Republikës.

Kolegjiumi i Degëve rithekson se Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj demokracisë së brendshme, respektimit të Statutit dhe vendimmarrjes institucionale. Me unitet, përgjegjësi dhe besim në projektin tonë politik, LDK do ta vazhdojë rrugëtimin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit