Një person është arrestuar sot në Gjilan, nën dyshimet se i njëtjti ka përfituar rreth 200 mijë euro duke i mashtruar qytetarët se po përballet me Leukemi Akute dhe ka nevojë për trajtim jashtë shtetit.
Në komunikatën e Prokurorisë, ata kanë thënë se i dyshuari është E.A, apo siç ka mësuar tashmë lajmi.net është Endrit Azemi.
Ai ditë më parë kishte bërë thirrje për ndihmë përmes një video-mesazhi.
Gjithashtu, për ndihmë për të, ishte hapur edhe një Gofund me.
“Endrit Azemi, 20 vjeç, është diagnostikuar me Leukemi Limfoblastike Akute të qelizave B (B-ALL, CD19-pozitive) dhe ka nevojë urgjente për mbështetjen tonë. Pas dërgimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit mjekësor nga Kosova, spitali Acıbadem në Turqi na ka dërguar planin zyrtar të trajtimit dhe vlerësimin e kostos, e cila arrin në 253.770 mijë euro. Kjo është një barrë jashtëzakonisht e rëndë financiare për familjen e tij. Çdo kontribut, sado i vogël, mund të bëhet një shpresë e madhe për Endritin dhe familjen e tij. Le të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë mundësinë të vazhdojë luftën për jetën. Mos qëndro indiferent! Ndihmo sa të kesh mundësi dhe shpërndaje këtë thirrje, sepse edhe një shpërndarje mund të bëjë ndryshimin. Së bashku për Endritin! Çdo ndihmë ka rëndësi”, thuhej në link.
Pas publikimit të njoftimit nga Prokuroria për arrestimin e tij, ka reaguar tiktokeri Bleon Smërqaku i cili ka kërkuar ndihmë për të.
Në këtë video motra e tij e ka konfirmuar se vëllai i saj ndodhet në Turqi por jo ende në Spital.
Gjithashtu Smërqaku ka thënë se tani “mediat nu do ti lënë rehat”.
Ai i ka kërkuar motrës së tij ta dërgon dokumentin nga spitali, ndërsa mora e tij ka thënë se me këtë punë po merret Policia dhe Prokuroria dhe nuk do të merret më me rastin.
Çka tha Prokuroria sot?
Prokuroria Themelore në Gjilan, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar një person me inicialet E.A., i dyshuar për mashtrim, pasi dyshohet se kishte organizuar një fushatë për mbledhjen e parave duke pretenduar rrejshëm se vuante nga sëmundja e leukemisë akute.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari dyshohet se që nga 9 nëntori 2026 kishte sajuar një ngjarje të pavërtetë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror. Ai kishte hapur edhe një llogari në platformën “GoFundMe”, përmes së cilës kishte kërkuar ndihmë financiare nga qytetarët në Kosovë dhe diasporë, kinse për shërim dhe rehabilitim.
Nga kjo fushatë dyshohet se janë grumbulluar gjithsej 189 mijë e 206 euro e 8 cent.
Pas verifikimit të historisë së tij, autoritetet kanë konstatuar se i dyshuari nuk vuante nga sëmundja për të cilën kishte kërkuar ndihmë financiare.
Me të marrë informacionet e para, Prokuroria dhe Policia kanë ndërmarrë veprime hetimore, duke bllokuar fillimisht paratë e grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të identifikuara në kuadër të rastit. Ndërkohë, i dyshuari ishte vendosur në kërkim policor.
Ai është arrestuar më 21 nëntor 2026, rreth orës 22:00, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se brenda afatit ligjor do të paraqesë kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjilan për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit.
Rasti po hetohet për veprën penale të “Mashtrimit”, nga neni 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Duhet theksuar se personi në fjalë konsiderohet i dyshuar dhe vlen parimi i prezumimit të pafajësisë. Fajësia e tij mund të vërtetohet vetëm me një vendim përfundimtar të gjykatës.









