Skandal në FIFA, zbulohen dokumentet për planin e Infantinos: të drejtat komerciale të Botërorit për 96 vjet në duart e privatëve

Dokumente të publikuara nga gazeta prestigjioze The Athletic kanë zbuluar detaje të një plani të Gianni Infantinos për ta hapur FIFA-n ndaj investimeve private, duke përfshirë kalimin e aseteve që gjenerojnë të ardhura në një kompani të re për një periudhë deri në 96 vjet.

Projekti, i quajtur “FIFA Forward Enterprise” (FFE), parashihte krijimin e një kompanie që do të merrte përsipër aktivitetet komerciale dhe organizative të FIFA-s.

Partneri kryesor i planifikuar ishte fondi amerikan i investimeve “Thrive Capital”, i drejtuar nga Joshua Kushner.


Sipas dokumenteve të siguruara nga The Athletic, FIFA kishte planifikuar t’ia transferonte kësaj kompanie asetet e saj që gjenerojnë të ardhura për plot 96 vjet. Këto përfshinin edhe të drejtat komerciale të Kupës së Botës, një prej burimeve më të mëdha të të ardhurave të organizatës.

Plani ishte edhe më ambicioz financiarisht. Kompania e re do të mund të dilte në bursë pas tetë vjetësh, ndërsa drejtuesit e saj do të përfitonin bonuse të majme në bazë të rritjes së vlerës së saj.

Dokumentet parashihnin që pesë për qind e aksioneve të kompanisë të ndaheshin në një fond shpërblimi për menaxhmentin. Për çdo miliard dollarë rritje mbi vlerësimin fillestar prej 20 miliardë dollarësh, në këtë fond do të krijoheshin aksione me vlerë deri në 50 milionë dollarë, të cilat do të ndaheshin mes drejtuesve të kompanisë.

FIFA, ndërkohë, do të investonte 1.5 miliardë dollarë nga fondet e saj për t’i siguruar kompanisë kapitalin fillestar. Në dokumente parashihej gjithashtu mundësia e përfshirjes së fondeve sovrane të pasurisë si investitorë.

Një tjetër detaj i rëndësishëm ishte mënyra se si ishte përzgjedhur partneri financiar. Sipas The Athletic, Thrive Capital ishte përzgjedhur pa një proces të hapur tenderimi, me arsyetimin e FIFA-s se investimi i propozuar kishte natyrë “specifike dhe unike”.

Plani u rrëzua pas reagimeve të ashpra

Projekti nuk arriti të marrë miratimin e shumicës së 211 federatave anëtare të FIFA-s, kusht ky i domosdoshëm për realizimin e tij. Sipas raportimit, Infantino dhe një grup i vogël zyrtarësh e kishin mbajtur planin larg pjesës tjetër të organizatës për afro një vit.

Zbulimi i tij në fund të korrikut shkaktoi reagime të ashpra në botën e futbollit dhe e vendosi FIFA-n në një krizë të madhe. Përballë kundërshtimeve, Infantino u tërhoq nga projekti, kërkoi falje për mungesën e transparencës ndaj federatave anëtare dhe e la në sirtar propozimin.

Në reagimin e The Athletic, FIFA ka theksuar se projekti do t’i nënshtrohej miratimit të federatave anëtare dhe Këshillit të FIFA-s. Organizata gjithashtu ka mohuar që drejtuesit e saj zyrtarë të mund të përfitonin nga skema e bonuseve për menaxhmentin e kompanisë së re.

Megjithatë, çështja nuk është mbyllur.

FIFA po përballet me veprime ligjore nga UEFA lidhur me këtë projekt, ndërsa drejtuesit e saj pritet të japin përgjigje për pyetjet e ngritura nga anëtarët e Këshillit të organizatës.

Dokumentet e zbuluara tregojnë se projekti ishte shumë më i gjerë sesa ishte bërë publike fillimisht, duke ngritur pikëpyetje të mëdha për mënyrën se si FIFA kishte planifikuar të menaxhonte asetet e saj më fitimprurëse.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit