Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 14-vjetorin e lirimit nga Gjykata e Hagës, së bashku me bashkëluftëtarët Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka rikujtuar 29 nëntorin e vitit 2012, kur Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi i shpalli të tre të pafajshëm për të gjitha akuzat e shqyrtuara në atë proces dhe urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm.
“Liri për çlirimtarët! Rroftë UÇK-ja! Sot, 14 vjet më parë, u vërtetua pafajësia ime, e Lahi Brahimajt dhe e Idriz Balajt, si dhe pastërtia e luftës së UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.
Procesi gjyqësor ndaj tre ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte nisur në vitin 2005, pas ngritjes së aktakuzës për krime të pretenduara gjatë luftës në Kosovë, në zonën e Dukagjinit.
Më 9 mars 2005, Haradinaj, Brahimaj dhe Balaj u dorëzuan vullnetarisht dhe u transferuan në Hagë, për t’u përballur me akuzat e ngritura nga Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi.
Më 3 prill 2008, Haradinaj dhe Balaj u shpallën të pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa Brahimaj u dënua me gjashtë vjet burgim për torturë dhe trajtim mizor.
Megjithatë, më 21 korrik 2010, Dhoma e Apelit e rrëzoi pjesërisht vendimin dhe urdhëroi rigjykimin e të treve për disa akuza që lidheshin me trajtimin e të burgosurve në objektin e UÇK-së në Jabllanicë.
Pas përfundimit të rigjykimit, më 29 nëntor 2012, Tribunali i Hagës i shpalli të tre të pafajshëm për të gjitha akuzat e shqyrtuara në këtë proces dhe urdhëroi lirimin e tyre të menjëhershëm.









