Shmangia e votimit nga Shqipe Mehmeti-Selimi, bashkëshortja e Rexhep Selimit, ka kthyer shiritin e historisë së errët të Donika Gërvallës kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.
Më 20 gusht të vitit 2025, deputetja e VV-së, Selimi, nuk e votoi Gërvallën për kryetare të Kuvendit. Arsyet i dinin të gjithë: dy postime të Gërvallës kundër Rexhep Selimit në vitin 2020, kur atë e lidhi me botën e krimit.
Mirëpo nuk mbaron gjithçka me këto dy postime. Gërvalla prej pasluftës ka shfrytëzuar mediat gjermane për të shkruar kundër UÇK-së dhe udhëheqësve të saj.
Kundërshtimi i saj ndaj UÇK-së dhe më vonë ndaj Trupave të Mbrojtjes së Kosovës u konfirmua më 24 shkurt të vitit 2002, kur në Dubovik u bë rikthimi dhe rivarrimi i eshtrave të Jusuf e Bardhosh Gërvallës.
Me kërkesën e Donika Gërvallës, Jusufi dhe Bardhoshi u rivarrosën ndaras nga Kadri Zeka, ndërkaq TMK-ja nuk u lejua të merrte pjesë në këtë ceremoni.
Këtë e kishte konfirmuar edhe zëdhënësi i TMK-së atëkohë, Shemsi Syla, tani anëtar i Vetëvendosjes. Ai kishte thënë se familja Gërvalla nuk kishte pranuar që TMK-ja të merrte pjesë në rivarrim.
Për këtë veprim të Donika Gërvallës ishte deklaruar edhe ish-pjesëtari i TMK-së, Artan Hoti. Ai kishte treguar se Donika Gërvalla, bashkë me nënën e saj, nuk kishin lejuar që Jusuf Gërvalla të varrosej me nderime të larta ushtarake nga forcat e TMK-së, me arsyetimin se “nuk na duhen ish-pjesëtarë të UÇK-së në varrimin e babait”.
“Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën donim t’i varrosnim me nderime të larta ushtarake. Jusuf Gërvallën nuk na ka lënë nëna e Donikës dhe Donika me i varros me ritual dhe me nderime të TMK-së. As serbët e Beogradit nuk i kanë ndal këta tre heronj, teksa kjo nuk na la me i varros me nderime”, kishte thënë ai.
Ndërkaq, në marsin e vitit 2005, Gërvalla në një radio gjermane kishte folur kundër Ramush Haradinajt, i cili atë kohë ishte deklaruar i pafajshëm në procesin gjyqësor në Tribunalin e Hagës.
“Haradinaj nuk është hero i shqiptarëve”, kishte thënë prerë Gërvalla në këtë intervistë.
Më vonë, një shkrim i saj me titull “Kujt i përket Kosova?” u citua shpesh nga kritikët e huaj që kishin në shënjestër UÇK-në dhe shqiptarët.
Pesëmbëdhjetë vjet më vonë, para se të ngjitej në pushtet, në vitin 2020, Gërvalla kishte pranuar se do të dërgonte në Gjykatën Speciale materiale kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, dy drejtuesve të UÇK-së.
Ajo kishte pretenduar se Veseli ishte koka e një organizate që kishte kryer krime kundër kundërshtarëve politikë.









