Hykmete Bajrami ka njoftuar për ngritjen e kallëzimit penal ndaj të gjitha institucioneve përgjegjëse lidhur me djegien e mbeturinave në Sferkë të Pejës.
Lidhur me këtë çështje ka reaguar ministrja në detyrë e Mjedisit, Fitore Pacolli, me akuza ndaj Bajramit dhe partisë së saj, si dhe duke shtuar se KMDK nuk e ka në menaxhim këtë deponi.
“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka bërë atë që i takon për këtë situatë: Inspektorati ka shqiptuar dënim në shumën prej 5000 eurosh për KRM “Ambienti”, pikërisht për shkak të mosrespektimit të standardeve”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Ndërkaq Bajrami ka sqaruar se kallëzimi penal nuk përfshin vetëm KMDK’në, por të gjitha institucionet përgjegjëse për këtë.
“Ministre në detyrë, mos u frikëso, qetësohu, lexoje mirë njoftimin tim për Kallëzimin Penal! Kam kërkuar të hetohet KMDK-ja, Ministria, Qeveria dhe të gjitha institucionet përgjegjëse. TË GJITHAAAAAAA”, deklaroi ndër të tjera ajo.
Përplasja vjen pas vënies në zjarr të depos së mbeturinavë në Sferkë nga, siç u shprehën nga KRM “Ambienti”, persona të papërgjegjshëm.
“Ministre në detyrë, a e dini sa qytetarë kanë qenë të ekspozuar ndaj këtij tymi? A e dini çfarë pasojash mund të ketë kjo për shëndetin e njerëzve, për bujqësinë, për kafshët dhe për mjedisin”, ka parashtruar pyetje më tej Bajrami.








