Shpresa te Apeli – ky është paneli që do të jap vendimin historik për katërshen e UÇK-së

Është caktuar Paneli i Apelit që do ta shqyrtojë ankesën e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas raportimit kryesuese do të jetë Michele Picard nga Franca. Anëtarë të panelit do të jenë Kai Ambos nga Gjermania dhe Nina Jorgensen nga Norvegjia.

Michele Picard

Gjykatësja Michele Picard është gjykatëse e Gjykatës së Apelit në Paris që prej qershorit të vitit 2013.

Nga viti 2008 deri më 2013, ajo ishte gjykatëse në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Nga viti 2007 deri më 2008, Picard ishte anëtare e Panelit Këshillues për të Drejtat e Njeriut në Kosovë.

Gjatë periudhës 1996-2003, ajo kryesoi Dhomën për të Drejtat e Njeriut në Bosnjë-Hercegovinë.

Në vitin 2005, u emërua eksperte e pavarur për gjendjen e të drejtave të njeriut në Uzbekistan.

Ajo ka punuar edhe për Këshillin e Evropës. Atje ishte eksperte për projekte të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian për të drejtat e njeriut në Maqedoni, Shqipëri dhe Bosnjë-Hercegovinë.

Picard është e diplomuar për drejtësi në Universitetin e Parisit. Në vitin 1992, ajo përfundoi shkollën për gjykatës në Bordo (Bordeaux).

Kai Ambos

Gjykatësi Kai Ambos ka qenë kreu i katedrës për të drejtën penale ndërkombëtare dhe profesor i të drejtës penale, procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare në Universitetin e Gëtingenit (Göttingen) në Gjermani që nga maji i vitit 2003.

Në vitin 2013, ai u emërua drejtor i Qendrës Studimore për të Drejtën dhe Procedurën Penale të Amerikës Latine (CEDPAL) në Universitetin e Gëtingenit.

Ambos ka punuar edhe si avokat i mbrojtjes dhe konsulent në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare.

Që nga marsi i vitit 2006, ai ka punuar si gjykatës i përkohshëm në Gjykatën Provinciale të Saksonisë së Poshtme në Gëtingen. Në vitin 2015, prej aty u delegua në Gjykatën e Apelit të Braunshvajgut (Braunschweig).

Ambos ka kryer studimet për jurisprudencë dhe shkenca politike në Universitetin e Frajburgut në Brajzgau (Freiburg im Breisgau), si dhe në universitetet e Oksfordit në Britani të Madhe dhe Mynihut në Gjermani.


Në vitin 1990, ai kaloi provimin e parë shtetëror. Katër vjet më vonë, në vitin 1994, kaloi edhe provimin e dytë shtetëror, i cili i mundësoi ushtrimin e profesionit të avokatit.

Në vitin 1992, Ambos u doktorua. Në vitin 2001 fitoi aftësimin profesional si ligjërues universitar. Të dyja i kreu në Universitetin e Mynihut.

Ai ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës dhe procedurës penale, të drejtës krahasuese dhe të drejtës penale ndërkombëtare.

Nina Jorgensen

Gjykatësja Nina H. B. Jorgensen është profesore e të drejtës publike ndërkombëtare në Universitetin e Southamptonit që nga viti 2019.

Ajo ishte edhe zëvendësdekane e Fakultetit Juridik për hulumtim nga viti 2019 deri më 2021.

Para kësaj, Jorgensen ishte profesore e të drejtës nga viti 2014 deri më 2018 dhe ndihmësprofesore e të drejtës nga viti 2010 deri më 2014 në Universitetin Kinez të Hong Kongut.

Nga viti 2001 deri më 2010, ajo ka punuar në detyra të ndryshme në Gjykatën Speciale për Sierra Leonen.

Në këtë gjykatë ka shërbyer edhe si juriste e lartë për apelet dhe këshilltare e lartë juridike për Zyrën e Prokurorit.

Jorgensen ka punuar edhe në Dhomat e Jashtëzakonshme në Gjykatën e Kamboxhias, si dhe në Tribunalët Penalë Ndërkombëtarë për ish-Jugosllavinë dhe Ruandën.

Ajo ka punuar gjithashtu për Zyrën e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut në Varshavë. Atje ishte këshilltare juridike për Tolerancë dhe Mosdiskriminim.

Jorgensen ka këshilluar edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe organizata joqeveritare për çështje që lidhen me të drejtën penale ndërkombëtare.

Ajo ka gradën doktor i shkencave nga Universiteti i Oksfordit dhe është diplomuar në Universitetin e Bristolit në Britani të Madhe.

Në vitin 1999, Jorgensen u pranua në Shoqatën e Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit (Gray’s Inn) dhe ka licencën si avokate.

Ajo ka botuar gjerësisht në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare dhe të procedurës penale.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit