Gert Jan Koopman, drejtor i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, ka deklaruar se beson që duhet të nisë shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.
Megjithatë, ai ka theksuar se procesi po përballet me pengesa, duke përmendur mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, zhvillimet në veri të vendit dhe çështjen e Dhomave të Specializuara.
‘’Personalisht, besoj se është shumë e rëndësishme që të fillojmë shqyrtimin e aplikimit të saj. Mendoj se, siç e dini, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese. Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto pesë shtete. Ka pasur gjithashtu probleme në veri të vendit dhe tani është rikthyer çështja e Dhomave të Specializuara’’, ka deklaruar ai.
Koopman e ka cilësuar si ‘’jashtëzakonisht të padobishme’’ miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian.
‘’E kuptoj se sot është miratuar një ligj. Kjo është jashtëzakonisht e padobishme. Unë do ta shihja çështjen në mënyrë të kundërt: për shkak se kemi një situatë delikate institucionale, me pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, vendi në të gjitha këto çështje të tjera duhet vërtet të tregojë dhe të dëshmojë plotësisht përkushtimin e tij ndaj rrugës evropiane’’, ka shtuar ai.
Zyrtari i Komisionit Evropian ka thënë se ligji për Dhomat e Specializuara nuk duhet të miratohet dhe se situata në veri duhet të menaxhohet siç duhet.
‘’Kjo do të thotë të mos miratohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe të sigurohet që situata në veri të vendit të menaxhohet siç duhet. Mendoj se, nëse kjo bëhet, është plotësisht e realizueshme që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian të fillojë punën për aplikimin dhe të japë një opinion, që është hapi i ardhshëm. Më pas, i takon Këshillit të vendosë nëse Kosovës do t’i jepet apo jo statusi i vendit kandidat’’, ka vijuar më tej ai.
Në fund, Koopman ka vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat nuk do të duhej të ishte shumë e vështirë nëse Kosova i përmbush kërkesat e përmendura, por ka theksuar se vendi ende nuk ka arritur në atë pikë.
‘’Kosova është partnere në procesin e zgjerimit dhe financimi i saj vjen nga një instrument që quhet Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA). Prandaj, nuk mendoj se duhet të jetë shumë e vështirë që vendet t’i japin Kosovës statusin e vendit kandidat, me kusht që ajo t’i përmbushë të gjitha këto kërkesa. Por ende nuk jemi në atë pikë’’, ka thënë Koopman në një intervistë për Atlantic Council Europe Center.










