Pas procesimit të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit, kanë filluar të shpërfaqen pakënaqësi nga një kamp i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kandidati për deputet Arben Gashi, i ka duartrokitur një deklarate të avokatit Ahmet Tahiri. Në këtë deklaratë, ai bën thirrje për ndryshim lidershipi në LDK.
“Kur humbja bëhet traditë, problemi nuk është votuesi. Edhe sa zgjedhje duhet me i humb që me e kuptu këtë? LDK-ja ka nevojë për rrugë të re, jo për arsyetime të vjetra. Për pak dinjitet politik, ece te shpija dhe lësho rrugë atyre që mund ta ringjallin LDK-në”, thuhet në postimin e Tahirit, ku Gashi ka komentuar duke duatrokitur.

Në anën tjetër, kandidatipër deputet, Bekim Gashi, që është kryetar i nëndegës në Hajvali dhe i afërt me kryetarin e Prishtinës, Përparim Ramën, bëri thirrje për reflektim dhe përgjegjësi pas rezultatit.
“Ka ardhur koha për reflektim. Gabimet duhen pranuar, ndërsa përgjegjësia duhet marrë”, ka shkruar Gashi.

Profesori Xhavit Beqiri, që ka qenë këshilltar i Avdullah Hotit sa ishte kryeministër, ka kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut.
Beqiri ka shkruar në profilin e tij në Facebook “Lum ik”, referuar Abdixhikut.
Beqiri ka qenë edhe këshilltar i ish-Presidentit Fatmir Sejdiu.

Drejtori i Urbanizmit në Prizren, Florent Ukaj, që është edhe djali i ish deputetit të kësaj partie, Xhavit Ukaj, ka deklaruar se rezultatet nuk përbëjnë sukses dhe se është koha për reflektim të thellë brenda subjektit politik.
Ai ka vënë theks të veçantë edhe te ndikimi i Vjosa Osmanit, duke thënë se i ashtuquajturi “efekt i Vjosës” nuk është reflektuar në vota.
“Efekti i shumëpërfolur i Vjosës dështoi. Përkundër gjithë propagandës, LDK ka shënuar vetëm rreth 1 mijë vota më shumë se në zgjedhjet e kaluara,” ka deklaruar Ukaj, duke shtuar se kjo nuk mund të paraqitet si sukses.
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) nga 99.16% e votave preliminare të numëruara ka 17.62% (121,888 vota).










