Dhimbja për humbjen tragjike të Arlinda Hasan Zekajt po shprehet edhe nga shkolla ku ajo kishte vijuar mësimet. Drejtori i shkollës “Hil Mosi” në Jabllanicë të Vogël, Riza Mujaj, ka publikuar një mesazh prekës pas lamtumirës së fundit me ish-nxënësen, duke kujtuar karakterin, edukatën dhe sukseset e saj.
Në një postim në Facebook, Mujaj ka shkruar se Arlinda ishte nxënëse e shkëlqyer në mësime, shembullore në sjellje dhe e respektuar nga mësimdhënësit e bashkëmoshatarët. Ai ka shprehur dhimbjen e tij dhe të gjithë kolektivit shkollor për humbjen e parakohshme të saj, duke theksuar se Arlinda kishte ende shumë ëndrra për të realizuar dhe një jetë të tërë përpara.
“Me dhimbje të thellë dhe pikëllim të madh, sot i dhamë lamtumirën e fundit ish-nxënëses së shkollës sonë, Arlinda Hasan Zekaj, jeta e së cilës u ndërpre tragjikisht në mënyrën më mizore. Arlinda ishte nxënëse e shkëlqyer në mësime, e shembullore ne sjellje, e edukuar dhe e respektuar nga mësimdhënësit dhe shoqëria. Ajo vinte nga një familje e ndershme dhe punëtore, e cila e kishte rritur me vlera të larta njerëzore. Si drejtor i shkollës, së bashku me kolektivin tonë, shpreh dhimbjen e thellë për këtë humbje të parakohshme dhe të rëndë. Është jashtëzakonisht e dhimbshme të humbasim një ish-nxënëse që kishte një të ardhme përpara, kishte ëndrra për të realizuar dhe një jetë të tërë për të jetuar. Asnjë fjalë nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e familjes për humbjen e vajzës së tyre. Në këto momente të rënda, familjes Zekaj i shpreh ngushëllimet më të sinqerta, duke ndarë me ta dhimbjen për këtë tragjedi të rëndë. Arlinda, emri dhe kujtimi yt do të mbeten përgjithmonë në zemrat tona dhe në kujtesën e shkollës sonë. U prehsh në paqe, Arlinda! Ngushëllime familjes dhe të gjithë atyre që të deshën!”, thuhet në shkrimin e shkollës.








