Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen, Chuck Grassley dhe Keith Self u kanë bërë thirrje autoriteteve në Republikën Sërpska – entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës – dhe në Serbi që të distancohen nga varrimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë dhe krimet gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në një deklaratë të përbashkët, senatorët rikujtuan përgjegjësinë e Mlladiqit për gjenocidin dhe krimet e tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, duke theksuar se ato përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
“Ratko Mlladiq ishte kriminel lufte dhe arkitekt i gjenocidit në Srebrenicë, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë. Forcat e tij ishin përgjegjëse edhe për rrethimin gati katërvjeçar të Sarajevës – një prej rrethimeve më të gjata në historinë moderne. Veprat e tij, të marra së bashku, përbëjnë disa prej krimeve më çnjerëzore të kryera në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, thuhet në deklaratën e përbashkët.
Në të shtohet se është “thellësisht shqetësuese që Serbia ka paralajmëruar se Mlladiq do të varroset me nderime shtetërore dhe ushtarake”, si dhe që ish-lideri i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, e ka quajtur atë “luftëtar për lirinë serbe”.
“Është përdhosje e kujtimit të viktimave të tij dhe e rajonit që ende jeton me pasojat e fushatës së tij të spastrimit etnik, nëse një qeveri shënon ose madhëron vdekjen e tij. Ditët e ardhshme do të jenë një test nëse Serbia dhe Republika Sërpska janë të gatshme të shkëputen nga e kaluara dhe të ecin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe integrimeve euroatlantike, apo do të lejojnë që ajo e kaluar të bëhet sërish pengesë për një të ardhme më të mirë të qytetarëve të tyre”, thuhet në deklaratë.
Senatorët amerikanë i bënë thirrje Qeverisë së Serbisë dhe Qeverisë së Republikës Sërpska që të përmbahen nga çfarëdo pjesëmarrjeje apo lidhjeje me ceremonitë e planifikuara dhe të sigurojnë që “asnjë deklaratë publike apo veprim zyrtar të mos e paraqesë Mlladiqin si diçka tjetër përveç asaj që ishte: arkitekt i dënuar i gjenocidit”.
Komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi ndërkohë vizitën e planifikuar në Serbi, duke thënë se madhërimi i një personi të dënuar për krime lufte dhe gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë, është “i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga drejt Bashkimit Evropian”.
Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, Ratko Mlladiq, i dënuar nga Tribunali i Hagës për gjenocid dhe krime të tjera të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, do të varroset sot në Beograd, me nderime të paralajmëruara ushtarake dhe shtetërore.
Arkivoli i Mlladiqit, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë, derisa vuante dënimin me burgim të përjetshëm, u ekspozua në Kishën e Shën Lukës.
Mediat serbe raportuan më herët se ceremoninë mortore do ta udhëheqë kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije.
Mijëra njerëz janë duke pritur në radhë para kishës për t’i bërë nderime, ndërsa disa prej tyre mbajnë bluza me portretin e kriminelit të dënuar të luftës dhe simbole të formacioneve ushtarake të kohës së luftës.
Pranë arkivolit janë duke bërë rojë me radhë veteranë të ish-Ushtrisë së Republikës Sërpska, ndërsa në kishë ndodhen edhe familjarë të Mlladiqit dhe ish-bashkëpunëtorë të tij të afërt.
Në mesin e zyrtarëve që i bënë homazhe në kishën në Beograd, ishin edhe ministri i Punës dhe Mbrojtjes së Veteranëve dhe Invalidëve të Luftës i Republikës Sërpska, Radan Ostojiq, dhe anëtari i Senatit të Republikës Sërpska, Aleksandar Vulin, i sanksionuar nga Uashingtoni për lidhjet e tij me Rusinë.
Në varrimin e Mlladiqit nuk pritet të marrë pjesë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai ka thënë më herët se nuk mund të jetë i pranishëm, pasi presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, po qëndron për vizitë në Beograd.
Vuçiq ka thënë gjithashtu se ka “bërë gjithçka” që varrimi të zhvillohet në “mënyrë dinjitoze”, ndërsa ka hedhur poshtë kritikat e Bashkimit Evropian për organizimin e varrimit të Mlladiqit me nderime shtetërore.
Pankartë për Mlladiqin
Siç raportojnë gazetarët e Radios Evropa e Lirë në Beograd, para kishës ndodhen ekipe të shumta të mediave, të cilave nuk u është lejuar hyrja në hapësirën e rrethuar dhe në kishë.
Rrugët përreth janë mbyllur për qarkullim.
Përgjatë rrugës “Knez Visheslav”, pranë kishës, janë vendosur flamuj serbë, ndërsa në udhëkryqe janë të pranishëm pjesëtarë të policisë.
Në një mur pranë kishës është vendosur edhe një pankartë, ku Mlladiq cilësohet “hero serb”.
Homazhe për të janë organizuar edhe në pjesë të ndryshme të Republikës Sërpska dhe Serbisë në ditët pas vdekjes së tij.
Mlladiq vdiq në moshën 84-vjeçare.
Kisha Ortodokse Serbe ka njoftuar se para varrimit do të mbahet ceremonia fetare e përcjelljes, ndërsa në njoftimin e saj, Mlladiqin e ka cilësuar si “të krishterë ortodoks dhe ushtar serb”.
Ministri serb i Drejtësisë, Nenad Vujiq, ka deklaruar më herët se Mlladiq do të varroset me nderimet më të larta shtetërore.
Në narrativin e disa mediave në Beograd dhe Banjallukë, Mlladiq është paraqitur si viktimë e Tribunalit të Hagës, i cili nuk e lejoi të shkonte për trajtim mjekësor në Serbi, ndërsa dënimi i tij dhe viktimat e krimeve për të cilat u shpall fajtor, u përmendën fare pak.








