Shantazhi ndaj biznesmenit, dosja zbulon përgjimet në paraburgim të Shehollit me familjarët

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh dhe shantazh përmban edhe detaje nga përgjimet e bisedave të tij me familjarët, të zhvilluara gjatë kohës sa ai ndodhej në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se ka shantazhuar biznesmenin Arben Jetullahu, duke i kërkuar para dhe duke e kërcënuar me publikimin e videove apo informacioneve që, sipas prokurorisë, do t’ia dëmtonin rëndë reputacionin. Prokuroria pretendon se shantazhi kishte nisur që nga viti 2022 dhe kishte vazhduar edhe gjatë kohës së paraburgimit.

Në aktakuzë thuhet se Jetullahu, përmes një punëtori të tij, i kishte dorëzuar familjarit të Shehollit 500 euro, pasi ishte kërcënuar se në të kundërtën do të publikohej një video komprometuese. Prokuroria e cilëson këtë si pjesë të veprës penale të shantazhit.

Por, sipas dosjes, komunikimet e përgjuara në paraburgim tregojnë se presioni ndaj biznesmenit dyshohet se ka vazhduar edhe pasi Sheholli ishte prapa grilave.

“Mos e le këtë punë…”
Një prej bisedave është zhvilluar më 12 janar, gjatë vizitës që Sheholli kishte me bashkëshorten, vajzën dhe djalin e tij në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan.

Në këtë bisedë, Sheholli pyet djalin e tij, Imerin, nëse ishte takuar me personin e identifikuar në aktakuzë si “Lorik”. Pasi merr përgjigjen se Loriku ndodhej jashtë, Sheholli i jep udhëzime që t’i përcillet një porosi.

Në transkriptin e përgjimit, Sheholli dëgjohet duke i thënë djalit të tij që të mos e lërë çështjen dhe t’i përcjellë Lorikut porosinë për “atë”. Më pas, ai kërkon që Loriku t’i përcjellë një tjetër mesazh, duke thënë se “pa dalë një ditë” nuk bëhet puna.

Prokuroria e interpreton këtë komunikim si vazhdimësi të përpjekjeve për ushtrimin e presionit ndaj Arben Jetullahut, përmes personave të tretë dhe përdorimit të materialit komprometues si mjet kërcënimi.

Në një tjetër përgjim përmendet videoja
Në një bisedë tjetër të regjistruar gjatë vizitës së familjarëve, Sheholli dhe djali i tij flasin për faktin se disa video ndodheshin në dispozicion dhe se personi në fjalë “e din” se çfarë kishte bërë.

Në aktakuzë është përfshirë edhe një pjesë e transkriptit ku Sheholli kërkon që përmes personave të tjerë të ushtrohet presion dhe të përmendet ekzistenca e një videoje.

Në një tjetër pjesë të transkriptit, Sheholli i thotë familjarit që t’i përcillet Arbenit mesazhi se ekziston një video dhe se, nëse ai flet për çështjen, “puna osht koxhaa”.

Edhe në fund të janarit kërkohet kontakt me biznesmenin
Sipas aktakuzës, më 26 janar 2026, Sheholli është vizituar në paraburgim nga bashkëshortja e tij dhe djemtë Imer dhe Alor.

Gjatë kësaj vizite, prokuroria thotë se Sheholli i ka dhënë djalit të tij Imer udhëzim që, përmes një personi të identifikuar si “Nazmi”, të kontaktohej Arben Jetullahu dhe t’i përcillej një porosi. Sipas dosjes, Sheholli ka kërkuar që komunikimi të bëhej në mënyrë diskrete, jashtë pranisë së personave të tjerë.

Prokuroria e konsideron këtë si një tjetër dëshmi se, edhe gjatë paraburgimit, Sheholli dyshohet se ka vazhduar të mbajë kontakte indirekte me të dëmtuarin dhe të ushtrojë presion për realizimin e përfitimit pasuror.

Biznesmeni: Refuzimi i parave u pasua me lajme denigruese
Në deklaratën e tij në polici dhe prokurori, Arben Jetullahu ka thënë se me Shehollin njihej që nga viti 2014.

Sipas deklarimit të Jetullahut, në vitin 2021 Sheholli i kishte kërkuar para në formë huazimi. Ai thotë se, pasi kishte refuzuar, ishin publikuar lajme që e lidhnin atë me grupe kriminale në veri të Kosovës dhe që, sipas tij, i kishin dëmtuar imazhin personal, familjen dhe biznesin.

Jetullahu ka deklaruar se, për t’i ndalur sulmet mediatike, kishte paguar rreth 13 muaj nga 1,000 euro në muaj, kinse si pagë për marketing, ndonëse sipas tij Sheholli nuk kishte kryer punë në biznes.

Ndërkohë, në deklaratën e tij para prokurorisë më 14 gusht 2026, Sheholli e ka dhënë një version tjetër. Ai ka thënë se Jetullahu e kishte angazhuar dhe paguar për ta ndihmuar lidhur me sulmet dhe presionet mediatike ndaj kompanisë së tij, duke deklaruar se pagesat fillimisht ishin 1,000 euro e më pas 500 euro në muaj dhe se ishin bërë me vullnetin e biznesmenit.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit