Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës, Andin Hoti, i ka reaguar ministrit të Jashtëm serb, Ivica Daçiq, pas deklaratave të tij për Prizrenin.
“Daçiq, eja në Prizren! Të presim! Merre edhe Radoiçiqin me vete, se me ty e me disa si ti s’kemi përfunduar punë ende”, ka shkruar Hoti.
Ai ka thënë se pjesëtarë të Policisë së Kosovës i presin Daçiqin dhe personat që ai i përmend në reagimin e tij.
“Prizreni është Kosovë. Kosova është Republikë”, ka theksuar Hoti, duke shtuar se përpjekjeve për pushtim, masakrave dhe gjenocidit u është dhënë fund në vitin 1999 nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me mbështetjen vendimtare të NATO-s.
Në fund të reagimit, Hoti ka thënë se drejtësia në Kosovë ka çështje të pambyllura me Daçiqin.
“Por ti eja, se burgjet e Kosovës të presin, drejtësia ka hesape të pambyllura me ty”, ka përfunduar ai.








