Gjatë ditës së sotme është sulmuar kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Skenderaj, Hysni Mehani, i cili është edhe kandidat për deputet nga kjo parti.
Sipas një statusi të Bahri Zabelit, Mehani është rrahur nga Sami Lushtaku dhe njerëzit e tij.
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pas pretendimeve të Lëvizjes Vetëvendosje për sulm fizik ndaj kryetarit të këtij subjekti politik në degën e Skenderajt, Hysni Mehani.
Lushtaku me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka pretenduar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tentoi ta sulmojë përmes mekanizmave të tij.
“Pushteti i Albin Kurtit përmes mekanizmave të tij tentoi që sot të më sulmoi në Skenderaj. E kam një jetë në shërbim të vendit kurse etiketat si “Sami Serbia” qytetarët nuk i tolerojnë më prandaj edhe reaguan!”, deklaroi ai.
Më 10 prill të këtij viti, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Hysni Mehani, përmes një postimi në Facebook e ka quajtur të parin e Skenderajt ‘Sami Serbia’.
“Sami serbia 😋 po na prish me Ameriken duke i mshele strukturat paralele pa koordim me miqte tane amerikane. Rrnofte Amerika dhe miqte tane, poshte Sami Serbia”, kishte shkruar Mehani.









