Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku – çifti humanitar nga Gjilani që e ktheu dhimbjen në vepër dhe Prevallën në amanet njerëzor

Fotoreportazh nga shpatet e Sharrit, aty ku dy pensionistë të Kosovës dhanë nga vetja më shumë se institucionet

Shkruan: Asllan Dibrani (Luani)

Ka njerëz që jetojnë pa zhurmë, pa ceremoni dhe pa kërkuar lavdi, por veprat e tyre mbeten të gdhendura në tokë dhe në kujtesën e njerëzve. Të tillë janë Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku, çifti humanitar nga Gjilani, të cilët dashurinë për nipin e tyre, Rinorin, për natyrën dhe për njerëzit e shndërruan në ura, shtigje, ulëse, ujë, dritë dhe hapësira pushimi në Prevallë.

Në shpatet piktoreske të Malit Sharr, ku ajri i freskët përzihet me aromën e pishave dhe zhurmën e ujërave malore, emrat e Sabriut dhe Rukijes tashmë janë lidhur me një humanizëm të rrallë. Ata nuk u paraqitën si investitorë që kërkojnë përfitim, por si dy pensionistë të Kosovës që nga kursimet, mundi dhe dashuria e tyre dhanë maksimumin për të mirën e përbashkët.

Në një kohë kur dora e shtetit mezi është ndier në këtë pasuri të jashtëzakonshme turistike, dy njerëz të zakonshëm treguan se çfarë mund të bëjë ndërgjegjja qytetare kur bashkohet me zemrën.

Kujtimi i Rinorit që vazhdon të jetojë

Në zemër të kësaj historie qëndron kujtimi i Rinorit, nipit të dashur të familjes Bunjaku, humbja tragjike e të cilit la një plagë të thellë në jetën e tyre.

Sabri H. Bunjaku dhe Rukije A. Bunjaku nga Gjilani nuk lejuan që dhimbja të mbetej e mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Ata e shndërruan atë në mirësi për njerëzit dhe në një kujtim që jeton çdo ditë në natyrë.

Pamje nga “Shtegu Rinori”, një rrugëtim mes maleve, pishave dhe ujërave, ku emri i tij vazhdon të ecë me çdo turist, me çdo të moshuar që pushon dhe me çdo fëmijë që kalon nëpër këto shtigje pran Parlamentit kuvendar ne Prevallë.

Kështu lindi “Shtegu Rinori”, një rrugëtim mes maleve, pishave dhe ujërave, ku emri i tij vazhdon të ecë me çdo turist, me çdo të moshuar që pushon dhe me çdo fëmijë që kalon nëpër këto shtigje.

Ata nuk ngritën një përmendore të ftohtë, të cilën njerëzit vetëm do ta shikonin. Ata krijuan një përmendore të gjallë: një shteg ku njerëzit ecin, një urë ku kalojnë të sigurt, një ulëse ku pushojnë dhe një vend ku bisedojnë, kujtojnë e marrin forcë për ta vazhduar rrugën.

Mbi 120 ulëse – krahë të hapur për udhëtarët

Një nga veprat më të dukshme të familjes Bunjaku janë mbi 120 ulëse druri, të prodhuara dhe të vendosura në pika të ndryshme të Prevallës.

Foto nga aksioni humanitar e këtyre dy humanistëve pensioner në vendosjen e ulëseve ne Prevallë Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku

Ato gjenden përgjatë rrugicave, në shtigjet malore, pranë pikave panoramike dhe në vende ku ecja bëhet më e vështirë. Çdo ulëse është vendosur me mendimin për njeriun e lodhur, për të moshuarin, për familjen, për turistin dhe për vizitorin që ka nevojë të ndalet e të marrë frymë.

Por veprimtaria nuk ka përfunduar. Në oborrin dhe përreth vilës së familjes Bunjaku janë përgatitur edhe dhjetëra ulëse të tjera. Hapësira është mbushur me to, ndërsa disa janë vendosur përkohësisht edhe pranë rrugës, deri sa t’u gjendet vendi më i përshtatshëm në shtigjet më të largëta të Prevallës.

Pamja e këtyre ulëseve të grumbulluara nuk është pamje e një biznesi. Është pamje e një punishteje humanizmi.

Ato presin të shpërndahen në terren dhe të bëhen strehë e vogël për lodhjen e mijëra njerëzve.

Për dikë, një ulëse mund të duket send i zakonshëm. Por për një të moshuar që ecën në terren malor, për një person me vështirësi në frymëmarrje apo për një turist të lodhur, ajo mund të jetë ndihmë e çmuar.

Në shumë pjesë të Prevallës, turisti e gjen ulësen e Sabriut përpara se ta gjejë dorën e institucionit.

Ura e Rinorit – kujtim, siguri dhe dashuri për njerëzit

Një tjetër vepër e rëndësishme është Ura e Rinorit, e ndërtuar mbi një rrjedhë ujore ku kalimi dikur ishte i vështirë dhe i rrezikshëm.

Në atë pjesë, uji, gurët e lagësht dhe terreni i thyer e vështirësonin kalimin e familjeve, të moshuarve dhe turistëve. Sot, falë kësaj ure, mijëra njerëz kalojnë më lehtë dhe vazhdojnë rrugëtimin drejt shtigjeve malore të Sharrit.

Pamje e fotove nga aksioni humanitar në ndërtimin e Urës Rinori te këtyre dy humanistëve pensioner në Prevallë nga Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku

Kjo urë nuk është vetëm një konstruksion mbi ujë. Ajo është dashuria e dy gjyshërve e shndërruar në siguri për të tjerët. Është kujtim për Rinorin dhe dëshmi se dhimbja, kur udhëhiqet nga dashuria, mund të bëhet vepër për brezat.

Në rrjedhën e ujit, në hapat e turistëve dhe në fotografitë që realizohen çdo ditë mbi të, kujtimi i Rinorit vazhdon të jetojë.

“Parlamenti i Prevallës” – vendi ku njerëzit flasin pa ndarje

Një nga pikat më të njohura të zonës është vendi që turistët e kanë quajtur “Parlamenti i Prevallës”.

Aty njerëzit mblidhen çdo mëngjes, ulen, pushojnë dhe bisedojnë. Nuk ka poste, privilegje apo ndarje. Ka vetëm njerëz të zakonshëm, ajër mali dhe fjalë të sinqerta.

Ulëset e kësaj hapësire janë pjesë e kontributit të familjes Bunjaku.

Në këtë “parlament” nuk dëgjohen fjalime politike, por tregime jete. Diskutohet për shëndetin, familjen, hallet e përditshme dhe bukuritë e Prevallës. Njerëzit që nuk njiheshin më parë ndajnë të njëjtën ulëse dhe shpesh largohen si miq.

Është ndoshta parlamenti më i pastër: pa mure, pa interesa dhe pa zhurmë, nën hijen e pishave dhe qiellin e hapur të Sharrit.

Kontribut në ujësjellës dhe ndriçim

Veprimtaria e Sabri H. dhe Rukije A. Bunjakut nuk kufizohet vetëm te Ura e Rinorit, shtigjet dhe ulëset.

Sabri H. Bunjaku është gjithashtu aksionar dhe financues në projektin e ujësjellësit që sjell ujë nga lartësitë dhe burimet e kodrave të Prevallës. Ky ujësjellës, me kapacitet të konsiderueshëm, ka rëndësi të veçantë për banorët, pushuesit dhe objektet e zonës.

Ai ka kontribuar edhe si aksionar dhe investues në ndriçimin e rrugës, duke ndihmuar në krijimin e kushteve më të sigurta për qarkullimin e banorëve dhe turistëve gjatë mbrëmjes dhe natës.

Këto investime dëshmojnë se përkushtimi i tij nuk ka qenë i rastësishëm dhe as i kufizuar në një vepër të vetme. Ai ka investuar vazhdimisht në shërbime që i nevojiten komunitetit dhe zhvillimit të Prevallës.

Çdo mëngjes në shërbim të njerëzve

Puna e Sabri H. Bunjakut nuk përfundon me prodhimin e ulëseve apo me ndërtimin e urës.

Në orët e hershme të mëngjesit, ai shihet duke kontrolluar shtigjet, duke pastruar, sistemuar dhe kujdesur për kalueshmërinë e rrugicave. Ai largon mbeturinat, rregullon ulëset e dëmtuara dhe përpiqet që turistët të lëvizin sa më sigurt.

Prevallën nuk e sheh si pronë të vetën, por si pasuri të përbashkët dhe amanet për brezat e ardhshëm.

Pranë tij qëndron Rukije A. Bunjaku, e cila me dashamirësi dhe përkushtim e ka mbështetur këtë veprimtari. Kontributi i tyre është një përpjekje familjare, e ngritur mbi sakrificën, kursimet dhe dashurinë për njerëzit.

Mikpritja që dëshmon shpirtin e familjes Bunjaku

Gjatë vizitës sonë në vilën e tyre në Prevallë, unë dhe bashkëshortja ime, Igballe Vllasa–Dibrani, përjetuam mikpritjen e rrallë të Sabri H. dhe Rukije A. Bunjakut.

Pamje e fotove e këtyre dy humanistëve pensioner në Prevallë nga Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku me miqtë Igballe Vllasa–Dibrani dhe Asllan Dibrani-Luani

Na pritën me kafe, pije, pemë të freskëta, por mbi të gjitha me zemër të hapur. Në atmosferën e ngrohtë familjare zhvilluam një bisedë të gjatë për jetën, hallet e njerëzve, veprat humanitare dhe të ardhmen e Prevallës.

Mikpritja e tyre dëshmoi se humanizmi nuk fillon vetëm në shteg apo në urë. Ai fillon brenda shtëpisë, në respektin ndaj mysafirit dhe në gatishmërinë për ta ndarë të mirën me të tjerët.

Prevalla – pasuri e krijuar nga Zoti, por e lënë pa përkujdesjen e shtetit

Prevalla është një nga pasuritë më të bukura natyrore të Kosovës. Ajo ka ajër të pastër, pyje, ujëra malore, peizazhe të rralla dhe mundësi të jashtëzakonshme për turizëm gjatë të katër stinëve.

Por realiteti në terren është shumë më i rëndë se pamjet e bukura që shfaqen në fotografi.

Dora e shtetit ende nuk është ndier sa duhet.

Mungon infrastruktura e mirëfilltë turistike. Rrugët dhe rrugicat në shumë pjesë janë të parregulluara, me pluhur, baltë dhe vështirësi për qarkullim. Gjatë fundjavave krijohen kolona të gjata automjetesh, ndërsa rruga bllokohet për shkak të mungesës së parkingjeve të organizuara.

Autobusët dhe automjetet e turistëve, përfshirë vizitorët nga diaspora dhe shtetet e tjera, shpesh nuk kanë ku të parkohen.

Në vend që fillimisht të ndërtohen kushtet elementare, janë shfaqur ide për vendosjen e rampave dhe pagesave hyrëse. Sabri H. Bunjaku kundërshton vendosjen e një rampe përpara se institucionet të realizojnë infrastrukturën dhe shërbimet bazë.

Nuk është e drejtë t’i kërkohet turistit pagesë për hyrje në një zonë ku ende mungojnë parkingjet, rrugët e rregulluara, shërbimet shëndetësore, informacioni dhe mirëmbajtja publike.

Së pari duhet të ofrohet shërbimi; pastaj mund të diskutohet pagesa.

Mungojnë shërbimet elementare shëndetësore

Prevalla vizitohet nga fëmijë, të moshuar, sportistë dhe njerëz që kërkojnë qetësi e përmirësim të mirëqenies së tyre. Megjithatë, mungon një ambulancë ose ordinancë mjekësore funksionale.

Mungojnë mjekët dhe personeli për ndihmën e parë. Mungon një barnatore, edhe pse në një zonë malore mund të ndodhin lëndime, rrëzime, probleme të frymëmarrjes ose raste të tjera urgjente.

Mungon fizioterapia dhe një qendër profesionale për rehabilitim e mirëqenie.

Sabri H. Bunjaku kërkon që shteti të shqyrtojë ndërtimin e një qendre ose spitali të specializuar për sëmundjet e mushkërive dhe rehabilitimin respirator, duke shfrytëzuar potencialin natyror të zonës, por gjithmonë nën mbikëqyrjen e specialistëve dhe mbi bazën e studimeve mjekësore.

Shumë vizitorë tregojnë se ecja, qetësia dhe ajri malor i ndihmojnë të ndihen më mirë. Këto janë përvoja personale dhe nuk duhet të paraqiten si zëvendësim për trajtimin mjekësor. Pikërisht për këtë arsye kërkohet prania e mjekëve, specialistëve dhe institucioneve kërkimore.

Mungojnë tabelat, broshurat dhe informimi turistik

Në një zonë me kaq shumë shtigje, burime dhe pika panoramike, mungojnë tabelat orientuese dhe mbishkrimet e nevojshme.

Vizitorët shpesh nuk dinë ku fillon dhe ku përfundon një shteg, sa kilometra është rruga, sa kohë zgjat ecja, cilat janë pikat e rrezikshme, ku ndodhen burimet, urat dhe vendet e pushimit, si dhe cilët janë numrat e emergjencës.

Mungojnë hartat dhe broshurat turistike, pikat e informacionit dhe materialet në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe gjuhë të tjera.

Prevalla ka vlera që duhet t’i prezantohen botës, por pa informacion profesional një pjesë e madhe e kësaj pasurie mbetet e panjohur.

Mbeturinat – plagë e shkaktuar edhe nga papërgjegjësia e vizitorëve

Përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet.

Edhe një pjesë e turistëve hedhin mbeturina vend e pa vend. Shishe plastike, qese, ambalazhe dhe mbetje ushqimore lihen pranë shtigjeve, ujërave dhe pishave.

Ky është një veprim i papranueshëm ndaj natyrës.

Ai që vjen në Prevallë për të marrë ajrin e pastër, nuk ka të drejtë ta lërë pas vetes ndotjen. Ai që e shijon bukurinë e malit, duhet edhe ta mbrojë atë.

Institucionet duhet të vendosin kosha, tabela paralajmëruese dhe shërbim të rregullt pastrimi. Ndërsa vizitorët duhet të kuptojnë se natyra nuk është vend për hedhjen e mbeturinave.

Humanisti nuk duhet të detyrohet çdo mëngjes të pastrojë papërgjegjësinë e të tjerëve.

Kur humanizmi përballet me pengesa

Kjo veprimtari e rrallë humanitare nuk është pritur gjithmonë me mirëkuptimin që meriton.

Sipas rrëfimit të Sabri H. Bunjakut, nga përfaqësues të pushtetit lokal ka pasur paralajmërime se ulëset mund të largohen, me arsyetimin se për vendosjen e tyre nuk ishte marrë leja përkatëse.

Kjo situatë ngre një pyetje të rëndësishme: si është e mundur që një qytetar, i cili me buxhetin e tij vendos ulëse për të moshuarit, familjet dhe turistët, të përballet me pengesa, ndërsa institucionet vetë nuk kanë siguruar ulëse, parkingje, shtigje të rregulluara, ambulancë, barnatore dhe shërbime të tjera elementare?

Natyrisht, çdo ndërhyrje në hapësirën publike duhet të koordinohet me institucionet dhe të respektojë ligjin. Por detyra e pushtetit nuk duhet të jetë vetëm ndalimi. Institucionet duhet të bashkëpunojnë, të udhëzojnë dhe të krijojnë një procedurë të qartë për miratimin dhe mbrojtjen e veprave që u shërbejnë qytetarëve.

Ulëset nuk janë vendosur për interes privat. Ato nuk sjellin fitim financiar për familjen Bunjaku. Ato u shërbejnë falas mijëra turistëve që ecin nëpër shtigjet e Prevallës.

Në vend të paralajmërimeve për largim, një veprimtari e tillë duhet të vlerësohet, të kontrollohet profesionalisht dhe të integrohet në një plan të përbashkët për zhvillimin e turizmit.

Teleferik, zgjerim pistash dhe parkingje të organizuara

Sipas vizionit të Sabri H. Bunjakut, Prevalla duhet të zhvillohet si qendër turistike e mirëfilltë dhe jo të mbetet vetëm destinacion spontan i fundjavës.

Ai kërkon ndërtimin e një teleferiku, zgjerimin dhe rregullimin e pistave, krijimin e parkingjeve të mëdha për automjete dhe autobusë, rregullimin e shtigjeve dhe rrugëve, vendosjen e tabelave orientuese, shërbime shëndetësore dhe emergjente, promovim turistik të organizuar dhe ruajtjen e natyrës nga ndërtimet e pakontrolluara.

Çdo të shtunë dhe të diel, situata e trafikut bëhet e rëndë. Automjetet zënë rrugën, autobusët nuk kanë hapësirë dhe kalimi i mjeteve emergjente mund të vështirësohet.

Parkingu nuk është luks. Është kusht themelor për sigurinë dhe funksionimin e një destinacioni turistik.

Dy pensionistë mbi indiferencën institucionale

Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku nuk janë kompani e madhe, as institucion shtetëror. Janë dy pensionistë të Kosovës, nga Gjilani, të cilët dhanë nga buxheti dhe puna e tyre më shumë sesa do të pritej prej tyre.

Ata prodhuan dhe vendosën ulëse.

Ndërtuan urën.

Kontribuuan në ujësjellës dhe ndriçim.

Mirëmbajtën shtigje.

Pastruan hapësira.

Krijuan vende pushimi.

Ruajtën kujtimin e Rinorit duke u shërbyer njerëzve të gjallë.

Ata nuk mund dhe nuk duhet ta zëvendësojnë shtetin. Por me veprën e tyre ia treguan shtetit se si i shërbehet qytetarit.

Kur dy pensionistë arrijnë të bëjnë kaq shumë me kursimet e tyre, institucionet nuk kanë të drejtë të thonë se nuk mund të bëhet më tepër.

Një thirrje për institucionet

Komuna e Prizrenit, Qeveria e Kosovës, institucionet e turizmit, shëndetësisë dhe mbrojtjes së mjedisit duhet të hartojnë një plan të përbashkët dhe serioz për Prevallën.

Para vendosjes së rampave dhe pagesave, duhet të sigurohen rrugë të rregulluara dhe pa pluhur, parkingje për automjete dhe autobusë, ambulancë dhe barnatore, mjekë dhe ndihmë e parë, shtigje të sigurta, tabela dhe harta, tualete publike, pastrim dhe menaxhim i mbeturinave, ndriçim, siguri, promovim turistik dhe mbrojtje e ujërave, pyjeve dhe peizazhit.

Prevalla nuk kërkon lëmoshë. Ajo kërkon përgjegjësi, planifikim dhe investim.

Natyra ia ka dhënë malin, pyllin, ujin, borën dhe ajrin. Shteti duhet t’ia japë infrastrukturën dhe sigurinë.

Humanizmi që nuk matet me fjalë

Humanizmi i Sabri H. dhe Rukije A. Bunjakut nuk është fjalim.

Është dru i punuar dhe kthyer në ulëse.

Është urë e ngritur mbi ujë.

Është ujë që vjen nga burimet malore.

Është dritë përgjatë rrugës.

Është shteg i pastruar në mëngjes.

Është kujdesi për të moshuarin që lodhet.

Është mikpritja në vilën e tyre.

Është kujtimi i Rinorit, i shndërruar në mirësi për mijëra njerëz.

Në një kohë kur shumë njerëz flasin për atdhedashurinë, ky çift nga Gjilani e ka dëshmuar atë me punë, sakrificë dhe zemër.

Përfundim: Kur dhimbja bëhet urë për brezat

Në Prevallën përrallore, ku mali dhe qielli takohen, Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku kanë lënë më shumë se ulëse, urë dhe shtigje.

Kanë lënë ujë.

Kanë lënë dritë.

Kanë lënë besim.

Kanë lënë mirënjohje.

Kanë lënë kujtimin e Rinorit të jetojë në çdo hap të turistëve.

Sabri H. Bunjaku nuk e pushtoi natyrën, por u bë kujdestar i saj. Rukije A. Bunjaku nuk qëndroi vetëm pranë tij, por u bë pjesë e kësaj sakrifice dhe e këtij humanizmi familjar.

Ata nuk kërkuan lavdi, por fituan dashurinë e njerëzve.

Një njeri i madh nuk matet me pasurinë që mban për vete, por me të mirat që lë pas. Ndërsa madhështia e një familjeje matet me mënyrën se si dhimbjen e vet e shndërron në dritë për të tjerët.

Sabri H. dhe Rukije A. Bunjaku, çifti humanitar nga Gjilani, e kthyen kujtimin e Rinorit në urë, shteg, pushim dhe dashuri për njerëzit, ndërsa përkushtimin ndaj Prevallës e shndërruan në ujë, dritë dhe shërbim publik.

Dhe sa herë një turist kalon mbi Urën e Rinorit, sa herë një i moshuar pushon në njërën prej mbi 120 ulëseve, sa herë dikush përfiton nga uji apo ndriçimi dhe sa herë një fëmijë ecën i sigurt në këto shtigje, vepra e tyre vazhdon të jetojë.

Kur dhimbja bashkon zemrat, dashuria bëhet urë për njerëzit dhe për brezat.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit