Një fotografi e publikuar nga faqja JOQ Albania ka tërhequr vëmendjen e mijëra përdoruesve në rrjetet sociale, duke u interpretuar nga shumëkush si një pamje reale nga protestat në Tiranë.
Në fotografi shihet një grua shtatzënë, e veshur me të zeza dhe me fytyrën e mbuluar, teksa mban lart flamurin kombëtar shqiptar, në mes të tymit dhe atmosferës së tensionuar të një proteste.
Pamja, e shoqëruar me mesazhin për qëndresën, shpresën dhe të ardhmen e brezave që vijnë, përcjell një simbolikë të fortë dhe ka nxitur reagime në rrjetet sociale.
Megjithatë, detaji që ndryshon gjithçka është se fotografia është krijuar me inteligjencë artificiale (AI), e jo një fotografi autentike nga protesta, siç mund të kenë menduar shumë përdorues në shikim të parë.
Realizmi i imazhit ka bërë që ai të duket si një fotografi e shkrepur në mes të turmës, duke treguar se sa bindëse mund të jenë sot imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale.








