Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për një propagandë “marksiste-leniniste”, për të cilën pretendon se i shërben Listës Serbe, ndërsa në anën tjetër, sipas tij, kjo parti përdor tema të tilla për të shitur patriotizëm.
Rrahmani ka renditur një sërë akuzash ndaj Vetëvendosjes dhe mënyrës se si, sipas tij, kjo parti po ndërton narrativat politike. Ai pretendon se VV ka bashkëpunuar me Listën Serbe, ka ndarë mjete për organizata dhe media serbe në Kosovë, si dhe ka marrë vendime që, sipas tij, janë në kundërshtim me narrativën patriotike që kjo parti promovon.
“Qe çka bën propaganda marksiste-leniniste e këtij pushteti që i shërben Listës Serbe”, ka shkruar Rrahmani.
Sipas tij, ndër veprimet e Qeverisë janë:
I jep 24 hektarë Manastirit të Deçanit.
I jep 146 mijë euro Dioqezës së Rashkës.
E pranon Marrëveshjen e Ohrit dhe atë të Brukselit, që, sipas Rrahmanit, është edhe më e keqe se “Zajednica”, dhe fillon zbatimin e tyre.
Bashkë me Listën Serbe qeverisin nga viti 2021 deri më 5 nëntor 2022, kur Lista Serbe jep dorëheqje.
Bashkë me Listën Serbe e votojnë Ligjin për Shtetësinë, duke ua mundësuar, sipas tij, edhe nipave e stërnipave të kriminelëve të marrin shtetësinë e Kosovës.
I pranojnë dokumentet e gjendjes civile të lëshuara nga strukturat paralele serbe që nga paslufta. Pra, sipas Rrahmanit, krejt puna që e kanë bërë strukturat paralele do të njihet nga institucionet e Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje komunitetin serb në Kosovë e quan “populli serb”.
Glauk Konjufca flet për “popull serb në Kosovë”.
Komunave me shumicë serbe u ndajnë deri në trefishin e buxhetit për kokë banori krahasuar me disa komuna shqiptare.
Paguajnë mbi 3.5 milionë euro për pjesëtarë të strukturave paralele që, sipas pretendimit të tij, nuk kanë qenë fare në punë.
Mbi 3 milionë euro ua japin organizatave serbe në Kosovë.
Financojnë edhe media serbe në Kosovë me dhjetëra mijëra euro.
Në fund, Rrahmani e ka përmbledhur kritikën e tij ndaj Vetëvendosjes me pretendimin se, pasi i ndërmerr të gjitha këto veprime, partia del më pas dhe flet për patriotizëm.
“Dhe në fund, pasi i bëjnë krejt këto, dalin e shesin patriotizëm!”, ka përfunduar Rrahmani.








