Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj etiketimeve ndaj Elmi Reçica, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe Hysni Gucati, në reagim thuhet se të njejtit janë cilësuar si: “kapot e krimit dhe korrupsionit”. Më shqetësuese për organizatën mbeten thirrjet për eliminimin e tyre nga skena politike.
“Është e papranueshme që emra si Elmi Reqica, Sami Lushtaku, Ramush Haradinaj dhe Hysni Gucati të etiketohen me akuza të rënda, duke i cilësuar si “kapot e krimit dhe korrupsionit”, e aq më shqetësuese është thirrja për eliminimin e tyre nga skena politike.”, thuhet në reagim.
Organizata në fjalë, ka theksuar se mospajtimet politike nuk mund të justifikojnë gjuhën e përdorur prandaj, ata kanë kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet kompetente që ta trajtojnë me seriozitet deklaratën, dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore, në përputhje me përgjegjësitë e tyre.
“Liria e shprehjes nuk është liri për të kërcënuar. Për fjalën publike duhet të ketë edhe përgjegjësi publike dhe ligjore!“, ka deklaruar organizata.
Ndërkaq, sa i përket kësaj deklarate të publikuar nuk është bërë qartë se prej kujt kanë ardhur komentet të cilat kanë nxitur reagimin e organizatës.









