Rasti i Arlinda Zekajt, KGjK publikon raportin e inspektimit në Gjykatën e Pejës: Çfarë u konstatua?

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka publikuar një komunikatë lidhur me inspektimin e kryer në Gjykatën Themelore në Pejë, në kuadër të rastit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Pejë.


Sipas KGjK-së, raporti përfundimtar i inspektimit është dorëzuar sot në Këshill. Pas shqyrtimit të të gjitha shkresave të lëndës, janë evidentuar këto të dhëna:

“Gjykata, më datë 07.09.2026, e ka pranuar Kërkesën për Shqiptimin e Urdhrit Mbrojtës Emergjent dhe po këtë ditë e ka regjistruar në regjistrin manual dhe atë elektronik të SMIL-it, konform rregullave të përcaktuara me akte normative, përkatësisht Rregullores nr. 17/2024 dhe Shtojcës 2.

Me aktvendimin e datës 07.09.2026, Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar Urdhrin për Mbrojtje Emergjente për palën e mbrojtur, znj. Arlinda Zekaj-Sylaj.

Kundër këtij aktvendimi, pala e mbrojtur dhe përfaqësuesi për mbrojtjen e viktimave kanë paraqitur kundërshtim, vetëm lidhur me pikën III të dispozitivit, e cila kishte të bënte me besimin e fëmijës dhe alimentacionin.

Gjykata, duke vendosur sipas kundërshtimit të palës së mbrojtur dhe përfaqësuesit për mbrojtjen e viktimave, me aktvendimin C.nr. 1300/2026, të datës 16.10.2026, ka vendosur që të aprovohet kërkesa e palës mbrojtëse, saktësisht siç përcaktohet në dispozitivin e këtij aktvendimi.

Kundër këtij aktvendimi nuk është paraqitur ankesë nga palët në këtë rast.

Bazuar në shkresat e lëndës, rezulton se pala e mbrojtur, Arlinda Zekaj-Sylaj, gjatë gjithë kohës ka pasur të caktuar Urdhrin për Mbrojtje. Të dyja këto aktvendime i janë përcjellë Policisë së Kosovës për ekzekutimin e tyre, ashtu siç ishte përcaktuar në dispozitivët e aktvendimeve të cituara.


Duhet theksuar se, më datë 26.10.2026, në orën 08:56, Gjykata ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë, me numër PP/II Nr. 1340/2026, kundër Jeton Sylajt, bashkëshortit të Arlinda Zekaj-Sylajt.

Aktakuza është pranuar në Gjykatë pas vrasjes së të ndjerës Arlinda Zekaj-Sylaj. Ajo është regjistruar menjëherë në regjistrin fizik dhe atë elektronik, me numër P.nr. 832/2026 dhe, sipas numrit unik të SMIL-it, 2026:208789.


Nga shkresat e lëndës rezulton se në këtë çështje palë të vetme kanë qenë pala e mbrojtur, Arlinda Zekaj-Sylaj, dhe pala përgjegjëse, Jeton Sylejman Sylaj, me të cilin kishte marrëdhënie familjare si bashkëshortë. Në asnjë shkresë të lëndës nuk është përfshirë Albert Sylaj, i dyshuari aktual për kryerjen e veprës penale të vrasjes.

Më 17 shtator 2026, znj. Arlinda Sylaj Zekaj i është drejtuar me kërkesë kryetarit të Gjykatës Themelore në Pejë, duke shprehur pretendimet se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe pas afateve ligjore.

Po atë ditë, më 17 shtator 2026, kryetari i Gjykatës në Pejë i është drejtuar gjyqtarit të çështjes me kërkesë që të informohej lidhur me çështjen dhe veprimet e ndërmarra. Po atë ditë, gjyqtari i çështjes i është përgjigjur kërkesës së kryetarit.

Ndërkaq, më 20 tetor 2026, kryetari i Gjykatës, përmes shkresës GJA.nr. 197/26, i është përgjigjur znj. Arlinda Sylaj Zekaj, duke i sqaruar të gjitha veprimet e ndërmarra nga Gjykata lidhur me rastin.”

KGjK: Arlinda Zekaj nuk kishte paraqitur kërkesë në Këshill

Këshilli Gjyqësor i Kosovës është deklaruar edhe lidhur me raportimet se kryesuesi i KGjK-së kishte pranuar një kërkesë nga e ndjera Arlinda Zekaj, duke thënë se këto raportime nuk qëndrojnë.

Sipas KGjK-së, kryesuesi i Këshillit ka pranuar përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e KGjK-së, sipas së cilës deri më 28 tetor 2026 nuk ishte pranuar asnjë kërkesë nga Arlinda Zekaj-Sylaj.

Në komunikatë thuhet:

“Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës ka marrë përgjigje me shkrim nga personat përgjegjës në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor se deri më datë 28 tetor 2026, nuk është pranuar asnjë kërkesë nga tani e ndjera Arlinda Zekaj-Sylaj.

Kjo është konstatuar duke kontrolluar evidencën nga regjistri fizik i pranimit të të gjitha shkresave të pranuara në zyrën e pranimit të Këshillit, në Sekretariat dhe në postën zyrtare elektronike të KGjK-së.”

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit