Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar disa vendime.
Së pari, qeveria miratoi vendimin për dhënien në shfrytëzim afatgjatë pa kompensim të pronave të menaxhuara nga Agjencia Pyjore e Kosovës, për nevojat e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU “Mitrovica” Sh. A., me qëllim të realizimit të projektit për sigurimin e furnizimit me ujë të pijshëm, për Komunën e Leposaviqit.
Më pas, qeveria po ashtu miratoi edhe vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej 255,153.45€, për pajisjen me tekste mësimore në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë, që vijojnë mësimin në gjuhën shqipe në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, për vitin shkollor 2025/2026.
Gjatë mbledhjes u miratua vendimi për ndarjen e mjeteve financiare në shumë prej 40,000€, për mbështetjen e organizimit dhe realizimit të ngjarjeve me karakter ndërkombëtar në fushën e inovacionit, teknologjisë, ndërmarrësisë dhe transformimit digjital, të cilat kontribuojnë në promovimin e Republikës së Kosovë, forcimin e imazhit të saj ndërkombëtar dhe zhvillimin e ekosistemit vendor, si dhe në rritjen e dukshmërisë ndërkombëtare të Republikës së Kosovës përmes organizimit të iniciativave dhe eventeve të njohura globale në këto fusha.
Mjetet në fjalë do të ndahen për organizatat, si në vijim:
- FLOSSK – Free Libre Open Source Software Kosova, ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro); dhe
- ICK – (Inovation Center Kosovo), ndahet shuma prej 20,000€ (njëzetë mijë euro).








