Komuna e Skenderajt i ka mundësuar biznesmenit Rrustem Dobra shfrytëzimin e një bonusi zonimi prej 5,320 metrash katrorë ndërtim, në këmbim të realizimit të një projekti për rregullimin dhe finalizimin e rrugës “Adem Demaqi”.
Marrëveshja, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, është nënshkruar më 16 tetor 2025, ndërmjet Komunës së Skenderajt dhe kompanisë “ISA” Sh.P.K., të përfaqësuar nga pronari i saj, Rrustem Dobra.
Në dokument përcaktohen edhe përfitimet që kompania merr nga marrëveshja për bonusin e zonimit, si dhe obligimet që ajo duhet t’i përmbushë në këmbim të këtij përfitimi.
Sipas marrëveshjes, Komuna e Skenderajt merr përsipër që aplikuesit t’i ofrojë bonus zonimi në parcelën P-72015063-01085-0.

Bonusi i përcaktuar në marrëveshje është 5,320 metra katrorë ndërtim, ndërsa koeficienti i ndërtimit rritet nga 3 në 5.
Pra, përmes këtij bonusi, kapaciteti i ndërtimit në parcelë rritet ndjeshëm, duke i mundësuar pronarit një sipërfaqe ndërtimore prej 5,320 metrash katrorë.

Në marrëveshje thuhet se bonusi është paraparë në përputhje me Hartën Zonale të Komunës së Skenderajt dhe normat teknike të planifikimit urban.
Në anën tjetër, kompania “ISA” Sh.P.K. është obliguar të realizojë projektin për “Rregullimin dhe finalizimin e rrugës ‘Adem Demaqi’”, me vlerë prej 111,500 eurosh.
Përveç financimit të projektit të rrugës, në marrëveshje parashihet edhe që Dobra t’i japë Komunës pronë private me sipërfaqe prej 200 metrash katrorë.
Po ashtu, aplikuesi merr përsipër edhe pagesën e një inxhinieri për dy muaj, me pagë prej 600 eurosh neto në muaj.
Në këtë mënyrë, marrëveshja është ndërtuar mbi parimin që investimi privat në një projekt me interes publik të kompensohet përmes rritjes së kapacitetit ndërtimor në pronën e investitorit.
Realizimi i projektit kërkon gjithashtu shpronësimin dhe kalimin në pronësi të Komunës të një pjese të pronës private.
Marrëveshja është nënshkruar nga kryetari i atëhershëm i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, në emër të Komunës, dhe Rrustem Dobra, në cilësinë e pronarit dhe përfaqësuesit të kompanisë “ISA” Sh.P.K.
Pikëpyetjet për bazën ligjore të bonusit të zonimit
Përtej përfitimit prej 5,320 metrash katrorë ndërtim, çështja që ngre pikëpyetje është baza ligjore dhe procedurale mbi të cilën Komuna e Skenderajt ka dhënë këto bonuse zonimi.
Në vendimin e Komunës për rastin e Rrustem Dobres i referohet Hartës Zonale të Komunës së Skenderajt dhe parashikimeve që lidhen me bonuset e zonimit.

Megjithatë, sipas asamblistit të Skenderajt dhe aktualisht zëvendësministrit të Financave, Hysni Mehani, për aplikimin e bonuseve të zonimit kërkohet edhe një rregullore komunale, të cilën, sipas tij, Komuna e Skenderajt nuk e ka.
Mehani ka bërë të ditur se gjatë kohës sa ishte asamblist në Kuvendin Komunal të Skenderajt, e kishte adresuar këtë çështje në Prokurorinë Speciale.
“Po, në kohën që isha asamblist, në lidhje me bonuset e zonimit në Skënderaj unë kam bërë njoftim për Prokurorinë Speciale”, ka thënë Mehani për Gazetën Insajderi.
Sipas tij, edhe Harta Zonale dhe udhëzimi administrativ kërkojnë që për bonuset e zonimit të ekzistojë një rregullore komunale.
“Harta zonale, por edhe udhëzimi administrativ kërkon që për bonuset e zonimit të ketë një rregullore komunale, rregullore të cilën komuna nuk e ka”, ka deklaruar ai.
Mehani pretendon se problemi nuk lidhet vetëm me rastin e Rrustem Dobres, por me mënyrën se si janë trajtuar në përgjithësi bonuset e zonimit në Komunën e Skenderajt.
Sipas tij, në komunë janë dhënë mijëra metra katrorë mbindërtim dhe përmes këtyre marrëveshjeve janë krijuar përfitime në vlerë prej miliona eurosh.
“Janë lëshuar me mijëra metra katrorë mbindërtim, dhe janë dhënë miliona euro përfitime të kundërligjshme”, ka thënë Mehani.
Ai e ka cilësuar këtë proces si “shumë kriminal”, duke paralajmëruar edhe pasoja për qytetarët që mund të blejnë prona në objektet e ndërtuara mbi bazën e këtyre bonuseve.
“Ky proces është shumë kriminal dhe do të ketë pasoja edhe te legalizimet e pronave që do të blejnë qytetarët. E di që shumë qytetarë do të pësojnë nga këto marrëveshje për bonuse shtesë”, ka deklaruar Mehani.
Mehani ka thënë se në lëndën që ia ka përcjellë Prokurorisë Speciale ka kërkuar që bonuset e zonimit të pezullohen deri në një vendim të gjykatës.
“Në lëndën që ia kam dërguar Prokurorisë Speciale kam kërkuar që të ketë masë pezulluese për bonuset e zonimit deri në një vendim të gjykatës”, ka thënë ai.
Objekti po ndërtohet në rrugën “28 Nëntori”, afër objektit të Komunës.

Dobra: Bonusi është e drejtë e përcaktuar me planet komunale
Pretendimet për bazën ligjore të bonusit i ka kundërshtuar Rrustem Dobra.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Dobra ka mohuar se bonusi i zonimit në rastin e tij është rezultat i ndikimit apo favorizimit personal.
“Nuk e kuptoj pse ekzistenca e një marrëdhënieje, çfarëdo natyre qoftë ajo, duhet të interpretohet si ndikim apo favorizim në ushtrimin e një të drejte që buron nga ligji”, ka thënë Dobra.
Sipas tij, prona e tij në rrugën “28 Nëntori”, pranë objektit të Komunës së Skenderajt, është pronë ndërtimore dhe ndodhet në zonën ku lejohet shfrytëzimi i bonusit të zonimit.
Dobra pretendon se kjo e drejtë nuk është krijuar për rastin e tij, por ka ekzistuar prej disa vitesh.
“Kjo e drejtë është e paraparë në Planin Zhvillimor Komunal (PZHK) dhe Hartën Zonale Komunale (HZK), të miratuara dhe certifikuara nga Ministria përkatëse që nga viti 2021. Pra, bëhet fjalë për një të drejtë që ekziston prej disa vitesh dhe nuk është krijuar për rastin tim”, ka deklaruar ai.
Dobra ka thënë se kërkesën për shfrytëzimin e kësaj të drejte e ka bërë gjatë vitit të kaluar dhe se është pajisur me lejen ndërtimore dhe vendimin për bonusin e zonimit nga organet kompetente.
Sipas tij, në kuadër të realizimit të rrugës “Adem Demaqi”, nga prona e tij janë marrë rreth 3 ari tokë.
“Për realizimin e rrugës ‘Adem Demaqi’, e cila është e paraparë në Hartën Zonale Komunale si pjesë e unazës së brendshme të qytetit, nga prona ime janë marrë rreth 3 ari tokë. Po ashtu, sipas marrëveshjes së arritur, kam marrë përsipër që ndërtimin e kësaj rruge ta financoj me mjetet e mia financiare, duke kontribuar në realizimin e një projekti me interes publik”, ka thënë Dobra.
Ai i ka cilësuar si të pabazuara pretendimet se bonusi është dhënë për shkak të ndikimeve personale.
“Për rrjedhojë, çdo pretendim se bonusi i zonimit është dhënë si rezultat i ndikimeve personale apo në kundërshtim me ligjin është i pabazuar dhe nuk përputhet me faktet dhe dokumentacionin zyrtar”, ka deklaruar Dobra.
Rrustem Dobra dhe transaksioni me Mërgim Lushtakun
Emri i Rrustem Dobres është përmendur edhe në një tjetër çështje që po trajtohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokuroria kishte konfirmuar për Gazetën Insajderi se është duke e trajtuar rastin lidhur me një transaksion prej 140 mijë eurosh ndërmjet biznesmenit Rrustem Dobra dhe deputetit të PDK-së, Mërgim Lushtaku, djalit të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku.
Vetë Rrustem Dobra kishte konfirmuar se ka pasur transaksion me Mërgim Lushtakun, por ka mohuar se është në dijeni për ndonjë hetim ndaj tij.
Dobra kishte deklaruar se në vitin 2022 i kishte shitur Lushtakut një pronë – tokë me një shtëpi të papërfunduar – në vlerë prej 140 mijë eurosh.
Dobra dhe kontratat me Komunën e Skenderajt
Kompania “ISA” Sh.P.K., e drejtuar nga Rrustem Dobra, ka pasur edhe më herët marrëdhënie kontraktuale me Komunën e Skenderajt.
Në vitin 2024, kur Sami Lushtaku ishte nënkryetar i Komunës dhe Fadil Nura kryetar, një kontratë me vlerë mbi 1 milion euro për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra të Skenderajt i ishte dhënë kompanisë “ISA” Sh.P.K. në konsorcium me kompani të tjera.
Kontrata përfshinte rrugët në Klinë, Polac, Makërmal, Ticë, Kopiliq të Epërm dhe Rakinicë, ndërsa dokumenti ishte nënshkruar nga Rrustem Dobra.
Pronë komunale për ndërtimin e stacionit të autobusëve
Po ashtu, në vitin 2023, kompania “OMER & NILI INVEST”, e cila sipas të dhënave të raportuara ka si pronar “ISA” Sh.P.K., kishte marrë nga Komuna e Skenderajt pronë komunale për ndërtimin e stacionit të autobusëve.
Bëhej fjalë për një sipërfaqe prej 10,810 metrash katrorë, e dhënë për shfrytëzim për 35 vjet, përmes procedurës së negocimit të ofertës.









