Policia e Kosovës ka njoftuar se hapja e xhamisë në rrugën “Xhemajl Mustafa” në Podujevë është zhvilluar pa incidente, pavarësisht kundërshtimeve të disa qytetarëve lidhur me emërimin e imamit nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK).
Sipas njoftimit të Policisë, për mbarëvajtjen e aktivitetit është zbatuar një plan operativ, ndërsa në terren janë angazhuar njësi policore nga Drejtoria Rajonale në Prishtinë dhe Stacioni Policor në Podujevë.
Policia ka bërë të ditur se gjatë aktivitetit kanë qenë të pranishëm qytetarë me qëndrime të ndryshme për emërimin e imamit, por nuk janë shënuar incidente që do të cenonin rendin dhe sigurinë publike.
“Hapja e xhamisë është bërë në orën 13:00 dhe kanë filluar ritet fetare. Një grup personash kanë shprehur kundërshtimet e tyre përmes thirrjeve dhe zhurmës verbale, por situata është menaxhuar pa nevojën e ndërhyrjes policore”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, pas një periudhe të shkurtër, personat që kishin kundërshtuar janë larguar nga objekti, ndërsa ceremonitë fetare kanë vazhduar normalisht.
Policia ka vlerësuar bashkëpunimin e qytetarëve dhe ka ritheksuar përkushtimin për garantimin e rendit publik dhe të drejtës së qytetarëve për ushtrimin e lirë të besimit fetar.








