Revistës The Sun i është drejtuar një 34-vjeçar, i cili rrëfen për një marrëdhënie dyvjeçare me një grua shumë më të madhe në moshë, të bazuar në shkëmbim dhuratash të shtrenjta, mbështetje financiare dhe intimitet.
Ai thotë se tani ndihet i zhgënjyer dhe i lënduar sepse ajo refuzon ta përfshijë në testamentin e saj, pavarësisht lidhjes që kanë.
Rrëfimi i plotë
E dashura psikologe: Kam qenë në një marrëveshje “sugar baby” me një grua shumë më të madhe në moshë për dy vitet e fundit.
Ajo më blen shpesh dhurata të shtrenjta, por unë dua më shumë. Dua të di si mund ta bind që të më fusë në testamentin e saj, në mënyrë që të kem një të ardhme të sigurt pasi ajo të mos jetë më.
Mendoj se e meritoj këtë, duke marrë parasysh gjithçka që kam bërë për ta mbajtur të lumtur.
Unë jam 34 vjeç dhe beqar, ndërsa ajo është 67 vjeçe dhe e ve.
U takuam rastësisht në një hotel, ku ajo ndodhej për një konferencë, ndërsa unë kisha shkuar të takoja një shoqe që anuloi në minutën e fundit. Filluam të flisnim dhe, pas disa pijeve, biseda u bë flirtuese.
Në një moment përfunduam në dhomën e saj dhe më pas në shtrat.
Të nesërmen ajo më pyeti nëse mund ta përsërisnim përvojën dhe më tha se ishte e pasur dhe se do ta bënte “t’ia vlente kohën time”. Duke qenë në një situatë të vështirë financiare, pranova.
Që atëherë jemi parë rregullisht, të paktën një herë në javë. Ajo më ka blerë rroba firmato, orë dhe këpucë të shtrenjta. Përveç seksit, kemi krijuar edhe një lloj miqësie dhe unë e ndihmoj në shtëpi.
Por pavarësisht kësaj, ajo refuzon të më fusë në testamentin e saj dhe nuk pranon as ta diskutojë. Thotë se ka fëmijë të rritur dhe dëshiron që pasuria e saj t’u shkojë atyre.
Ndihem i përdorur dhe i refuzuar, sepse besoja se pas gjithë kësaj kohe së bashku, ajo do të më siguronte edhe mua të ardhmen.
Nuk kam me kë ta ndaj këtë situatë. Çfarë duhet të bëj?
Përgjigjja e psikologes: Duket se kjo situatë nuk ka të bëjë vetëm me paratë, por edhe me ndjenjën e vlerësimit dhe pranimit që kërkon nga kjo marrëdhënie.
Është e rëndësishme të jesh i sinqertë me veten: kjo marrëdhënie ka qenë gjithmonë e bazuar në një shkëmbim, jo në barazi emocionale apo një lidhje afatgjatë.
Refuzimi i saj për të të përfshirë në testament nuk është domosdoshmërisht një refuzim personal, por një vendim i saj për të mbrojtur familjen dhe pasurinë e saj.
Nëse do të qëndroje në këtë marrëdhënie pa përfitime materiale, a do të ishte ende e mjaftueshme për ty?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë është e rëndësishme të mendosh nëse kjo lidhje po të shërben vërtet apo po të mban të lidhur në një pritshmëri që nuk do të plotësohet.
Ndonjëherë, largimi nga një marrëdhënie e tillë është mënyra më e shëndetshme për të rifituar dinjitetin dhe stabilitetin emocional.










