Janë bërë publike disa nga komunikimet mes modeles shqiptare Misse Beqiri Maloku dhe Jeffrey Epstein. Emri i saj përmendet në dhjetëra dokumente tashmë publike nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA. Edhe pse një pjesë e materialeve janë të redaktuara, emri i saj i plotë mbetet i dukshëm.
Sipas komunikimeve, Misse kontaktoi për herë të parë me Epstein më 8 shtator 2011. Në email-in e parë ajo shkruante: “Përshëndetje Jeffrey, jam Misse, një shoqe e Tancredit. Ai më tha të të shkruaj në lidhje me qëndrimin tim në Nju Jork. Mikpritja juaj vlerësohet shumë! Do të mbërrij më datë 10 dhe do të largohem më datë 18. Tancredi më ka folur shumë për ju dhe për faktin sa shumë ju vlerëson, dhe mezi pres të takohemi. Me respekt, Missi.”
Më pas, asistentja personale e Epstein, Lesley Groff, i kërkoi fotografi dhe të dhëna për shqiptaren. Në një nga email-et thuhet: “Përshëndetje Misse, A mund të më dërgosh, të lutem, detajet e mbërritjes tënde në Nju Jork nesër? Kam rregulluar që gjatë qëndrimit tënd të akomodohesh në një nga apartamentet e tij për mysafirë. Adresa është 301 E 66th St. Do të jesh në apartamentin 4M. Portieri do të ketë një letër për ty me kodin e hyrjes së apartamentit; ne nuk përdorim çelësa, por tastierë me kod për të hyrë. A mund të më japësh edhe numrin tënd të telefonit?”

Takimi i parë u zhvillua më 17 shtator 2011 në vilën e Epstein në Manhattan. Pas këtij takimi, komunikimet vijuan. Në disa prej mesazheve përmenden takime të mundshme me shoqe të saj në Milano, si dhe plane për udhëtime në Paris dhe Karaibe, apo projekte në botën e modës. Në korrespondencë, Misse përmend se disa shoqe shprehin hezitim për shkak të marrëdhënieve personale.

Më 26 shtator 2011, ajo i shkruante: “Zemër, e humba telefonin… lol. Jam në Suedi, kam punë këtu këtë javë, më 10 po nisem për në Milano. Si je? Po mendoja për ty dje… Xxx.”
Në një tjetër komunikim ajo shkruante: “Jam në Paris, ku je? Sapo mbërrita sot në shtëpi për Krishtlindje. Jam ende beqare, kam dalë me dikë, por nuk jam gati për asgjë serioze ende… Ku je ti?”
Jeffrey Epstein shkroi: “Ku je dhe si e ka emrin ai?”

Komunikimi i fundit i publikuar mban datën 22 mars 2012. Sipas tabloidit britanik The Sun, Epstein i ofroi asaj një udhëtim me avion privat në Paris, ku ai mezi priste të shkonte me të në një sfilatë mode në qytet. Po ashtu ai i kishte premtuar edhe një Mercedes me vlerë 100,000 paund. Këto detaje raportohen nga The Sun.
E lindur në Shqipëri dhe e rritur në Suedi, Misse Beqiri ka ndërtuar karrierën e saj në Mbretërinë e Bashkuar si modele dhe figurë televizive. Sot 39 vjeçe, ajo është nënë e dy fëmijëve dhe ish-bashkëshortja e portierit danez të Manchester United, Anders Lindegaard.
Ajo u bë e njohur për publikun britanik përmes paraqitjes në “The Real Housewives of Cheshire”, ku u pasqyrua edhe martesa e saj me ish-portierin Lindegaard. Divorci i tyre, si dhe lidhja e mëvonshme me Jake Hall, u pasqyruan gjerësisht në media.









