Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e dy policëve të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut, të dyshuar për përfshirje në një rast të keqtrajtimit të një qytetari gjatë një operacioni policor në Dren të Zubin Potokut.
Sipas IPK-së, hetimi paraprak është nisur sipas detyrës zyrtare pas raportimeve mediale dhe deklaratave publike të 11 gushtit 2026 lidhur me pretendimet e qytetarit me inicialet N. R. ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për tejkalim të autorizimeve policore.
Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, IPK-ja sot i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e dy zyrtarëve policorë, me dyshimin se janë të përfshirë në veprën penale “Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
IPK ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave dhe veprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë.
Hetimi ishte iniciuar më 12 gusht, bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike lidhur me veprimet policore gjatë një operacioni të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
“Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit.
Inspektorati Policor i Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale brenda kompetencave, përfshirë bashkëpunimin me institucionet përkatëse, sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, intervistimin e personave që mund të kenë njohuri për incidentin etj”, thuhet në njoftim.








