Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ish-diplomatin e lartë amerikan, Daniel Serwer, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe më gjerë.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se takimi u mbajt dje dhe ishte i pari pas aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara në Hagë, si dhe zgjedhjeve të mbajtura në Serbi dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kreu i Qeverisë ka thënë se takimet me profesorin Serwer janë gjithmonë të mirëpritura, por koha shpesh nuk mjafton për të diskutuar të gjitha çështjet dhe për të marrë këshillat e tij.
“Dje u takuam për herë të parë pas aktgjykimit të 16 shtatorit të Dhomave të Specializuara në Hagë dhe zgjedhjeve të mbajtura në Serbi dhe në ShBA. Biseduam për këto ngjarje, si dhe për zhvillime të tjera të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit. Si çdo herë, profesorin Serwer e falënderova për kontributin e tij të vazhdueshëm për shtetin dhe popullin e Kosovës”, ka shkruar Kurti.









