Një ndeshje me dema në arenën e famshme Las Ventas në Madrid mori një kthesë dramatike për toreadorin Paco Urena, i cili u plagos pasi u godit nga një dem gjatë performancës së tij.
Siç shihet edhe në pamjet video, Urena duket se e vlerësoi gabim distancën gjatë manovrimit me pelerinën e kuqe, duke i dhënë mundësi demit ta godiste me brirë.
Demi e hodhi toreadorin në ajër të paktën dy herë, përpara se kolegët e tij të ndërhynin për të shmangur pasoja më të rënda. Anëtarët e ekipit të tij, të njohur si “quadrillas”, tërhoqën vëmendjen e kafshës me pelerinat e tyre, duke i krijuar Urenas mundësinë të largohej nga arena.
Sipas mediave spanjolle, toreadori u largua nga arena duke çaluar dhe pësoi një plagë rreth 30 centimetra të gjatë si pasojë e goditjes nga brirët e demit.
Pavarësisht incidentit të rëndë, ndërhyrja e shpejtë e ekipit të tij shmangu një ngjarje me pasoja edhe më të rënda.










