Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, e ka cilësuar Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë si “mashtrimin më të madh politik që nga paslufta”, duke pretenduar se ai nuk mund të sjellë asnjë ndryshim.
Molliqaj tha se kushdo që pret se përmes këtij ligji do të ndryshonte diçka në proceset gjyqësore në Hagë, është mashtruar.
“Për bindjen tonë, ligji ka qenë mashtrimi dhe mbetet mashtrimi më i madh politik prej pas çlirimit, në kuptimin e ndërmarrjes politike. Të gjithë ata që e kanë lexuar dhe e kanë parë ligjin e Kushtetutën e dinë që asgjë nuk ndryshon”, deklaroi Molliqaj.
Ai pretendoi se iniciativa për këtë ligj nuk kishte pasur si qëllim kryesor ndryshimin e pozitës së të akuzuarve në Hagë, por ishte pjesë e një kalkulimi politik brenda PDK-së për të siguruar postin e presidentit.
Sipas Molliqajt, PDK-ja kishte llogaritur se kryeministri Albin Kurti do të frikësohej nga protestat e asaj kohe dhe do të detyrohej t’ia jepte kësaj partie të drejtën për të propozuar presidentin.
Në anën tjetër, ai tha se edhe Vetëvendosje kishte menduar se mund ta shfrytëzonte situatën në negociatat me PDK-në.
Molliqaj vlerësoi se përfituesi i vetëm nga kjo përplasje politike ishte pushteti aktual, i cili, sipas tij, është stabilizuar dhe ka krijuar mundësi për të qeverisur për gjashtë vjet, nëse nuk ndodhin rrethana të tjera që e ndryshojnë këtë situatë.
Ai kritikoi gjithashtu ata që, sipas tij, nuk kishin protestuar ndër vite kundër Dhomave të Specializuara, ndërsa tani po vazhdojnë të krijojnë pritshmëri përmes debatit rreth ligjit.
“Po vazhdon mashtrimi, edhe këto ditë. Është i panevojshëm. Këta njerëz, të cilët për vite me radhë, nuk kanë protestu kundër Dhomave të Specializuara, na kanë lënë të vetmum, na kanë sulmuu, madje kanë majt mbledhje kundër neve”, ka theksuar ai.









