Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me zhvillimet që lidhen me projektin e Aeroportit të Vlorës.
Pacolli bëri të ditur se kompania MABCO ka dorëzuar kallëzim pranë SPAK-ut për veprime që i konsideron të kundërligjshme në procesin gjyqësor që, sipas tij, ka penguar zhvillimin e projektit. Ai pretendon se masa e sigurimit e vendosur nga gjyqtarja Nakaj ka pamundësuar mbajtjen e Asamblesë së VIA-s më 6 qershor 2026 dhe ka shkaktuar dëme në funksionimin e shoqërisë.
Sipas Pacollit, do të paraqiten kallëzime edhe ndaj zyrtarëve përgjegjës të Policisë së Vlorës, për të cilët pretendohet se nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për zhbllokimin e rrugëve dhe hyrje-daljeve në kantier.
Në postimin e tij, ai theksoi se MABCO mbetet e përkushtuar për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje përmes rrugëve ligjore dhe kërkoi nga institucionet kompetente hetim të plotë të rrethanave që, sipas tij, kanë penguar realizimin e investimit strategjik në Aeroportin e Vlorës.








