Ish-presidentja dhe kandidatja e LDK-së për këtë post, Vjosa Osmani, në tubimin e LDK-së në Mitrovicë, pa e përmendur me emër, ftoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për t’u përballur në një debat, për ta faktuar me prova se, sipas saj, ajo ishte presidentja që e mbrojti Kosovën në momentet më të rënda.
“Sulmet terroriste në Banjskë e Ibër- Lepenc ia kujtoi gjithë botës se kemi një fqinj që nuk heq dorë, por le ta dijë ky fqinj nga këtu se nuk do të heqim dorë asnjë milimetër nga mbrojtja e territorit tonë, shtetit tonë. Asnjë presion i vetëm nuk do të na ligështojë kurrë nga ky qëndrim që e kemi mbrojtur çdo ditë në angazhimin tonë politik. E di që ka të tillë që dëshirojnë që qytetarët e Mitrovicës t’i mashtrojnë për këto. Të tillët le ta marrin guximin që të përballemi në një debat, normal politik, me argumente nga ana ime me prova konkrete se si e kam mbrojtur këtë vend dhe sovranitetin e tij. Me prova konkrete se kush komunikoi me Shtëpinë e Bardhë për ta mbrojtur këtë vend në momentet më të rënda. Në këtë rrugë partneriteti me aleatin tonë të lirisë, mbetet garancia më e fuqishme”, tha Osmani.
Osmani u zotua se në Mitrovicën e jugut dhe veriut do të ndërtohet spitali më i madh në Evropën juglindore, donacion mbi 200 milionë euro.
Ajo i shpalosi edhe premtimet e tjera për qytetin e Mitrovicës.
“Ne kemi një vizion të qartë për këtë qytet, përtej ankesave e dembelisë për punë. Me investime konkrete. Investime, të cilat do të jenë më të mëdha në historinë e pasluftës e që do ta kenë në qendër qytetin e Mitrovicës, që do t’i prijë zhvillimit të vendit tonë edhe pas 7 qershorit. Unë e njoh potencialin e Mitrovicës, e njerëzve të saj. Investimet tona do të fokusohen në sektorin e industrisë, e turizmit malot në Shalën e Bajgorës. Është e pafalshme që nuk ka pasur investime. E treta, sektori i shëndetësisë. Dua të ndaj me ju një të arritur historike, kemi siguruar një donacion prej 200 milionë eurosh. Spitali me i madh në Evropën juglindore në dy Mitrovicat. Ky do të jetë investimi më i madh në historinë e qytetit tonë”, tha Osmani.
Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tha në tubimin në Mitrovicë se ky qytet është lënë anash nga qeveria në detyrë.
“Mitrovica meriton vëmendjen më të madhe. Një e ardhme e ndritur nuk bëhet duke pritur, as me fjalë të thata, as propagandë, por me ide konkrete. Për këtë qytet mund të themi se është lënë anash tash e sa kohë”, tha Abdixhiku.










