Justina Shiroka-Pula, presidentja e re e vendit, po vazhdon të rrethohet nga njerëz të afërt me Lëvizjen Vetëvendosje.
Gruaja e cila u zgjodh presidente pas dakordimit mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pritet që sot të emërojë Bekim Kupinën në postin e këshilltarit për media.
Kupina, i cili ushtroi të njëjtën detyrë gjatë mandatit të ish-presidentes Vjosa Osmani, është bashkëshorti i këshilltares për media të kryeparlamentares Albulena Haxhiut, Vlora Konushevcit.Konushevci ka edhe lidhje familjare me Haxhiun, aktualisht kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Bekim Kupina është gazetar me disa vite përvojë pune në media.
Për disa vjet ka mbajtur pozitën e redaktorit në gazetën Koha Ditore dhe portalin Koha.net. Prej vitit 2020 e deri në prill 2026 ka shërbyer si këshilltar për media i Kryetares së Kuvendit të Kosovës dhe i Presidentes së Republikës së Kosovës.
Një ditë më parë, në afërsi të presidentes Shiroka-Pula u shfaq edhe Berita Abazi, ish-shefe e stafit të u.d. presidentes Haxhiu. Abazi u paraqit si pjesëtare e kabinetit të presidentes së sapozgjedhur gjatë pritjes në Presidencë të kryeministrit Albin Kurti. Mediat raportuan se ish-asamblistja e Vetëvendosjes në Prishtinë është emëruar shefe e stafit të presidentes Shiroka-Pula, por Presidenca nuk i ka konfirmuar raportimet.








