Nëna e Cristiano Ronaldos, Dolores Aveiro, ka rrëfyer bisedën telefonike që pati me yllin portugez pas largimit të tij nga grumbullimi i kombëtares, duke zbuluar se ishte shqetësuar për situatën që po kalonte i biri.
Në një intervistë për revistën portugeze “TV 7 Dias”, Dolores tregoi se e kishte telefonuar Ronaldon për të kuptuar më shumë rreth asaj që kishte ndodhur, ndërsa ai i kishte kërkuar të mos shqetësohej.
“Pasi djali im u largua nga grumbullimi i kombëtares, e telefonova dhe ai më tha: ‘Mami, mos u shqetëso. Do ta tregoj të vërtetën kur të jemi të gjithë bashkë’”, rrëfeu ajo.
Dolores tha se ishte përpjekur ta qetësonte të birin dhe t’i jepte mbështetje, por vendimi përfundimtar i takonte atij.
“I thashë të qëndronte i qetë, por në fund ai e mori vendimin e tij. U përpoqa t’i jepja gjithë forcën time, por kjo nuk e ndryshoi asgjë”, u shpreh ajo.
Nëna e pesë herë fituesit të Topit të Artë theksoi se Ronaldo ka dhënë shumë për Portugalinë, por sipas saj, jo gjithmonë ka marrë vlerësimin që meriton.
“Cristiano i ka dhënë shumë Portugalisë dhe do të jetë gjithmonë aty. Ai ka qenë gjithmonë heroi i Portugalisë, por nuk i japin vlerësimin që meriton, në mënyrën që e meriton”, deklaroi Dolores.
Ajo pranoi se situata e kishte prekur emocionalisht dhe se kishte qarë, duke shtuar se ndonjëherë lotët ndihmojnë në çlirimin e emocioneve.
“Qava pak. Ndonjëherë, të qash të ndihmon të çlirosh atë që ndien. Duhet ta kalojmë këtë fazë”, përfundoi ajo.








