Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka bërë të ditur se familjarët e trupës diplomatike të Kosovës në Austri tash e tutje do të kenë të drejtë të punojnë gjatë qëndrimit në shtetin pritës.
Sipas MPJD-së, marrëveshja e re rregullon mundësinë që anëtarët e familjeve të personelit diplomatik dhe konsullor të ushtrojnë veprimtari fitimprurëse gjatë periudhës së shërbimit jashtë vendit, duke krijuar kushte më të favorshme për diplomatët e të dyja shteteve.
Marrëveshja është nënshkruar nga zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Republikës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti, dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë Federale për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Nikolaus Marschik.
Në njoftimin e MPJD-së theksohet gjithashtu se pas ceremonisë së nënshkrimit është zhvilluar një takim bilateral, ku është diskutuar për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, bashkëpunimin ekonomik dhe institucional, si dhe zhvillimet politike e të sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë.








