Revistës The Sun i është drejtuar një 48-vjeçare, e cila rrëfen se pas 25 vitesh martesë zbuloi rastësisht se bashkëshorti i saj kishte pasur një lidhje me trajneren e ekipit të netbollit të vajzës së tyre. Ajo thotë se zbulimi i një letre dashurie i ka rrënuar besimin dhe tani nuk e di nëse mund ta falë ndonjëherë.
Rrëfimi i lexueses: E dashura psikologe, ndihem si budallaqe pasi zbulova se burri im kishte pasur një aferë me trajneren e netbollit të vajzës sonë.
Për vite me radhë kisha një ndjesi se diçka nuk shkonte në martesën tonë, por kurrë nuk do ta kisha imagjinuar një tradhti të tillë.
Jam 48 vjeçe, ndërsa burri im është 49. Jemi të martuar prej 25 vitesh dhe kemi dy vajza, 18 dhe 20 vjeç.
Disa javë më parë, ndërsa po rregulloja shtëpinë, gjeta në komodinën e tij një letër të vjetër dashurie, të shkruar nga trajnerja e netbollit të vajzës sonë.
Në letër përmendej fakti që vajza jonë e madhe po përgatitej për provimet e maturës, ndaj kuptova se lidhja kishte ndodhur rreth dy vite më parë.
U trondita.
Tani gjithçka ka marrë kuptim. Në atë periudhë ai ishte bërë i ftohtë dhe i largët. Punonte deri vonë, kalonte fundjavat jashtë me justifikime dhe nuk ndahej nga telefoni.
E pyeta disa herë nëse kishte dikë tjetër, por ai e mohoi dhe më bëri të ndihesha paranojake.
Tani ndihem e poshtëruar. Ajo grua vinte shpesh në jetën tonë. Më njihte mirë dhe sillej sikur gjithçka ishte normale.
Burri im thotë se ishte vetëm një lidhje e shkurtër, që përfundoi kohë më parë. Betohet se nuk ka reshtur kurrë së më dashuri dhe se ishte gabimi më i madh i jetës së tij.
Por unë ndihem sikur e gjithë martesa jonë është ndërtuar mbi gënjeshtra. Nuk e di nëse mund t’i besoj më ndonjëherë.
Përgjigjja e psikologes: Zbulimi i një tradhtie, sidomos pas kaq shumë vitesh dhe kur mendonit se gjithçka i përkiste së kaluarës, mund të tronditë plotësisht besimin që ke pasur në martesën tënde.
Është normale të ndihesh e zemëruar, e lënduar, e poshtëruar dhe e hutuar. Këto emocione janë pjesë e procesit të përballjes me tradhtinë.
Kur të ndihesh gati, përpiqu të flasësh hapur me bashkëshortin. Nëse doni ta shpëtoni martesën, duhet të kuptoni jo vetëm çfarë ndodhi, por edhe pse ndodhi dhe çfarë duhet të ndryshojë që besimi të rindërtohet.
Rindërtimi i besimit kërkon kohë, sinqeritet dhe angazhim nga të dyja palët. Këshillimi në çift mund t’ju ndihmojë të kuptoni nëse marrëdhënia juaj mund të rikuperohet dhe si të ecni përpara.








