Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar pas tërheqjes së prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës së Kosovës.
Nagavci ka thënë se tërheqja e Sejdiut është humbje për një proces që, sipas saj, do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet.
“Tërheqja e prof. dr. Bekim Sejdiut nga gara për President të Republikës është humbje për një proces që do të duhej të sillte në vëmendje personalitete me integritet, profesionalizëm dhe kredibilitet”, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka kritikuar klimën politike të krijuar rreth procesit të zgjedhjes së presidentit, duke thënë se në vend të krijimit të hapësirës për personalitete të tilla, po krijohet një situatë që i demotivon ata.
Sipas Nagavcit, përpjekja për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të reja po e kalon Kosovën “nga një bllokadë në tjetrën” dhe po e vështirëson ndërtimin e konsensusit të nevojshëm.
“Kosova nuk ka nevojë për bllokada të reja. Ka nevojë për përgjegjësi, stabilitet institucional dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje”, ka deklaruar ajo.
Në fund, Nagavci i ka shprehur respekt dhe mirënjohje Sejdiut për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës.
“Prof. Sejdiut i shpreh respekt dhe mirënjohje për gatishmërinë që, me integritetin dhe profesionalizmin e tij, t’i shërbejë Republikës”, ka shkruar Nagavci.








