Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare ka publikuar gjetjet e raportit të inspektimit të jashtëzakonshëm në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, lidhur me trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Ministria në fjalë ka bërë disa rekomandime për Komunën e Pejës dhe gjithashtu edhe për Qendrën për Punë Sociale të kësaj komune.
Komunës së Pejës i është kërkuar largimi i drejtoreshës për Punë Sociale, meqë minsitria pretendon se largimi i saj do të mundësonte hetime të pavarura sa i përket QPS-së.
“Ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për zhvendosjen e Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, përkatësisht drejtoreshës A. B., për të mundësuar punën e pavarur profesionale të QPS-së dhe ndarjen e qartë të detyrave, përgjegjësive dhe funksioneve ndërmjet dy institucioneve”, thuhet në reagimin e ministrisë
Në fund të reagimit, Ministria në fjalë ka kërkuar nga Komuna e Pejës që rekomandimet të trajtohen pa vonesë dhe që ajo të njoftohet zyrtarisht për masat e ndërmarra.
Në këtë “ultimatum”, Ministria ka bërë të ditur se do të monitorojë zbatimin e rekomandimeve nga ana e Komunës së Pejës.









