“Vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, kështu ka deklaruar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbërie Nagavci, duke komentuar pamjet e vizitës së Jakup Krasniqit në Kosovë, pas gjashtë vjetësh.
Nagavci ka thënë se pamjet nga ardhja e Krasniqit, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij, ishin të dhimbshme dhe rikujtuan vitet e humbura dhe momentet familjare që nuk mund të rikthehen.
“Ato pamje duhet të na kujtojnë edhe diçka tjetër se vendimet politike nuk mbeten në dokumente, por dalin nga kjo sallë dhe ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve”, ka thënë ajo.
Duke folur për Krasniqin, Nagavci e ka cilësuar atë figurë të rëndësishme të historisë së Kosovës, duke theksuar se ai ishte pjesë e periudhave vendimtare të shtetformimit.
Ajo ka rikujtuar edhe votimin e vitit 2015 për themelimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë vendim si të gabuar.
“Votimi për themelimin e saj ishte gabim, pasojat e të cilit po i shohim edhe sot”, ka deklaruar Nagavci.
Në fund, ajo ka thënë se nga kjo çështje duhet të nxirren mësime për mënyrën se si ushtrohen detyrat parlamentare.









